Lidhje

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kërkon të mos ndërhyhet në pavarësinë e saj


Gjykata Kushtetuese e Kosovës, dënoi të martën mbrëma të gjitha përpjekjet për të ndërhyrë në pavarësinë e saj.

Në një komunikatë të kësaj Gjykate thuhet se ajo po e ndjek “me shqetësim diskursin publik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga Presidenti dhe Kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike, të cilët duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re”.

Gjykata Kushtetuese, thuhet në komunikatë “e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politik dhe institucional për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur deri më 29 maj masën e përkohshme me të cilën pezullohet zbatimi i dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi, shpalli më 30 prill dekretin me të cilin i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti më 25 mars.

Vendimi i Gjykatës për pezullimin e tij pasoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Thaçi.

Përgjatë debateve që pasuan vendimin e gjykatës për pezullimin e dekretit deri në vendimin përfundimtar rreth tij, presidenti dhe kryeministri kanë shkëmbyer polemika në distancë, ndonëse që të dy kanë theksuar se duhet lënë Gjykatën të punojë pa trysni.

Të martën mbrëma kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, publikoi një letër nga një organizatë që e quan veten “Garda Vullnetare Shqiptare", e cila paralajmëron kundër mbështetjes së idesë për një protestë në fund të këtij muaji.

“Kemi informata që grupe të ndryshme të lëvizjes Vetëvendosje janë në organizim të protestave në Prishtinë që do të mbahen me 29 maj 2020”, thuhet në letër, duke shtuar se “Albin Kurti dhe të gjithë udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje që ndihmojnë në organizimin e kësaj proteste tanimë kanë arsye te shqetësohen për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre nga njësitet e Gardës”, thuhet në letër.

Policia e Kosovës nuk komentoi nëse është duke hetuar se për kë bëhet fjalë, ndërsa kryeministri në detyrë, shkroi në rrjetet sociale tha se në fakt “kërcënimi nga e ashtuquajtura "Garda Vullnetare Shqiptare", nuk është ndaj tij.

Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër. Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata”, shkroi mes tjerash zoti Kurti

Para disa ditësh në sheshin kryesor të Prishtinës u mbajt një, siç u tha, provë për protestë nën rregullat e distancimit fizik për shkak të përhapjes së koronavirusit në vend.

Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka marrë përgjegjësinë për organizimin e kësaj prove, me gjithë pohimet e partive opozitare se ajo qëndron prapa atij organizimi, i cili u cilësua si trysni ndaj gjykatës Kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja pas pandemisë ndërsa kryeministri në detyrë Albin Kurti ka akuzuar presidentin Thaçi për ndërhyrje në proceset politike në vend dhe siç thuhet përpjekje për krijim të vullnetit politik jashtë mandatit të tij.

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, është shprehur i bindur se Gjykata Kushtetuese do të nxjerrë një vendim që i jep të drejtë kërkesës për zgjedhje të reja gjykuar edhe nga përvojat e së kaluarës, kur pas votimit të mosbesimit vendi kishte shkuar në zgjedhje. Ai tha po ashtu se deri në zgjedhjet e reja qeveria në detyrë do ta vazhdojë punën e saj.

“Askush nuk mund të bllokoj vendin dhe institucionet e shtetit për këtë arsye ftoj edhe njëherë që të gjithë të kontribuojnë në forcimin e institucioneve të vendit, respektimit të institucioneve të pavarura, natyrisht edhe funksionimin e institucioneve në pushtete të ndara”, tha ditë më parë presidenti Thaçi.

Gjykata Kushtetuese tha të hënën se “nuk do t’u nënshtrohet presioneve dhe kërcënimeve të tilla, dhe se nuk ka nevojë për mbrojtje politike apo publike nga askush, sepse Kushtetuta dhe ligji ia ofrojnë të gjitha garancitë e nevojshme për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG