Lidhje

LDK dorëzon në parlament mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti


Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzoi nënshkrimet për thirrjen e një seance të parlamentit për të miratuar mocionin e saj për rrëzimin e qeverisë së kryeministri Albin Kurti.

Kërkesa e Lidhjes Demokratike, që është pjesë e koalicionit qeverisës, pasoi shkarkimin e ministrit të Brendshëm nga radhët e saj, Agim Veliu nga ana kryeministrit Albin Kurti dhe siç është thënë mos heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe.

LDK dorëzon mocionin e mosbesimit për të rrëzuar qeverinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Sipas Kushtetutës së Kosovës, mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës së deputetëve të parlamentit dhe vihet në rendin e ditës së parlamentit, jo më vonë se pesë ditë e as më herët se dy ditë nga data e parashtrimit të tij.

Në një njoftim të Lidhjes Demokratike të Kosovës thuhet se “përkundër vendimit të Kryesisë së LDK-së, kryetari Mustafa i ka dhënë një mundësi shtesë Kryeministrit Kurti që të reflektojë sot për heqjen e plotë dhe pa kushte të tarifës si dhe ta kthejë në detyrë ministrin Veliu, me kërkim falje për veprimin e ulët ndaj tij. Por, Kryeministri nuk reflektoi. Prandaj, sot në fund të orarit të punës, LDK ka dorëzuar kërkesën për mocion të mosbesimit me 46 nënshkrime”, thuhet në njoftimin e këtij subjekti.

Para se të dorëzohen nënshkrimet kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe dhe të anulojë vendimin për shkarkimin e ministrit të brendshëm, për të shmangur rrëzimin e qeverisë.

Nisma për mocionin e mosbesimit për qeverinë u hodh të mërkurën pak orë pasi që zoti Kurti shkarkoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, për shkak të mospajtimeve rreth shpalljes apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën po e kërkon presidenti Hashim Thaçi, por pa pajtimin e kryeministrit.

Kryeministri Kurti, tha se do të pres të shoh veprimet e Lidhjes Demokratike para se të komentojë nismën e saj.

Mocioni për rrëzimin e qeverisë deri tani është përkrahur nga dy partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.

Partia Demokratike, që është subjekti më i madh opozitar, tha se nuk ishte pjesë e skenarit për rrëzimin e qeverisë.

Kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli tha se i siguron “qytetarët dhe votuesit e PDK-së se ne nuk do të jemi pjesë e asnjë kalkulimi që është i reduktuar te pushteti. E kam bërë të qartë, që më 6 tetor, se PDK-ja do të qëndrojë në opozitë dhe se do të punojmë shumë për të shtyrë përpara çdo agjendë që është në interes të qytetarëve të vendit. PDK është lidere e opozitës politike dhe do t’i nënshtrohet vetëm kërkesave që janë në interes të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj”.

Ai theksoi se, në parim, kjo parti e mbështetë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, “por kjo s’do të thotë se ne do të ndryshojmë kursin dhe statusin aktual politik. Në rrethana normale, do të kërkonim zgjedhje të parakohshme. Por, me pandeminë këtu – e dimë se kjo është e pamundur aktualisht. Karshi zhvillimeve të ditëve të ardhshme, do të marrim edhe vendimet e tjera të nevojshme. Por, vendimet e PDK-së për këtë situatë dhe situatat pasuese gjithmonë do të ruajnë interesin tonë strategjik nacional dhe do të krijojnë siguri dhe të ardhme për qytetarët tanë dhe shtetin”, tha ai.

Nisma e Lidhjes Demokratike u kritikua nga vëzhgues, analistë e organizata joqeveritare që e shohin atë si zhvillim të dëmshëm në kohë pandemie.

Të enjten mbrëma, qytetarët protestuan duke bërë zhurmë me çelësa, tenxhere e tiganë, nëpër ballkonet e tyre, në shenjë pakënaqësie me zhvillimet politike në vend. Një protestë e tillë është paralajmëruar edhe për sonte.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Ana Pisonero, tha se Brukseli po i ndjek nga afër zhvillimet në Kosovë,

“Situata aktuale e pashembullt me shpërthimin e virusit COVID19, kërkon konsensus, unitet politik dhe qëllim të përbashkët. Mirëqenia e qytetarëve gjithmonë është në të parë”, shkroi ajo.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe disa deputetë të Lidhjes Demokratike, nuk janë pajtuar me mocionin.

“Luftoni koronavirusin, mos luftoni njëri-tjetrin”, shkroi zonja Osmani.

Qeveria e koalicionit ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike është formuar në fillim të muajit shkurt dhe është gjetur nën trysni për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe që u vendosën në nëntor të vitit 2018, duke çuar në pezullimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Lidhja Demokratike nuk është pajtuar me qëndrimin kryeministrit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tarifave, duke kërkuar që ato të hiqen tërësisht sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG