Lidhje

Thaçi letër Kurtit: Do të këshillohem me partitë për formimin e qeverisë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i shkroi sërish të mërkurën kryeministrit në detyrë Albin Kurti, njëherësh kryetar i lëvizjes Vetëvendosje duke paralajmëruar këshillimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re.

Presidenti Thaçi, i kërkoi disa herë gjatë këtij muaji zotit Kurti që të dërgojë propozimin e tij për emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re pas rrëzimit të qeverisë së kryeministrit Kurti më 25 mars.

Zoti Kurti deri tash nuk ka pranuar të dërgoj ndonjë emër dhe kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje pas pandemisë së COVID-19-tës.

“Jo, nuk hezitojmë t'ju përgjigjemi. Jo, nuk e refuzojmë kërkesën tuaj. Por jam i detyruar te përsëris atë qe kam pyetur ne letrën time te fundit, e për të cilën nuk kam marrë përgjigje. Shprehimisht kam thënë: E kam të qartë që situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, dhe kjo është diçka që ne nuk po kërkojmë te behet tani, par sapo te krijohen kushtet pas kalimit te pandemisë. Mirëpo ajo që nuk e kam te qartë është standardi i dyfishte qe Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi ne rruge jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon ne aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme. Ndoshta do të mund të na sqaroni ketë?”, shkroi zoti Kurti në një letër dërguar presidentit Thaci më 17 prill.

Ndërsa presidenti Thaçi në letrën e së mërkurës thekson se “me keqardhje konstatoj se me veprimet tuaja nuk e keni shfrytëzuar të drejtën të propozimit të kandidatit të ri për ta formuar qeverinë... Më duhet t’ju rikujtoj që në pajtim me mandatin kushtetues është përgjegjësi e imja që ta ruaj stabilitetin e vendit dhe ta garantoj funksionimin demokratik të institucioneve të vendit. Prandaj në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14 do të bëj konsultim të përbashkët me të gjithë liderët e subjekteve politike parlamentare për hapat e mëtejmë”, shkruan presidenti Thaçi.

Në të gjitha kërkesat e tij, presidentit Thaçi, mbështetet në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Lëvizja Vetëvendosje dhe zoti Kurti kërkojnë që të veprohet sipas nenit 82 të Kushtetutës, sipas të cilit “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Zoti Kurti thekson se njësoj është vepruar edhe në të kaluarën, ndërsa të hënën në një bashkëbisedim me gazetarë e analistë të të organizuar nga “Presseclub Concordia” me seli në Vjenë, ai tha që “nëse presidenti dëshiron të shkelë Kushtetutën dhe vullnetin e popullit, ne do të ngritemi dhe nuk do të rrimë duke shikuar se si demokracia jonë po vdes”.

Zoti Kurti paralajmëroi që nëse presidenti nis formimin e qeverisë, siç ka paralajmëruar, Vetëvendosje do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

"Por, nuk besoj se mund t’i ndalim njerëzit të protestojnë dhe mendoj se mund të ndodhë destabilizimi”, tha ai.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë pasi që parlamenti miratoi me 25 mars një mocion të Lidhjes Demokratike te Kosovës, për rrëzimin e qeverisë pjesë e së cilës ishte. Koalicioni u përça për shkak se Lidhja Demokratike kërkoi që tarifat ndaj mallrave serbe të hiqen në tërësi sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara që tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 janë hequr që nga një prilli nga qeveria e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, por duke vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë.

Vendimi i tij u mbështet nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara.

Aktualisht të gjitha partitë tjera politike kërkojnë që të formohet një qeveri e re dhe të shmangen zgjedhjet e reja. Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të qëndrojë në opozitë, ndërsa Lidhja Demokratike tashmë është duke biseduar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate për mundësinë e formimit të qeverisë së re.(b.a.)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG