Lidhje

LDK dhe AAK nënshkruan marrëveshjen për qeverinë e re të Kosovës


Lidhja Demokratike e Kosovës, po përmbyll marrëveshjet me partitë politike me të cilat synon në formojë qeverinë e re, pasi rrëzoi me një mocion votëbesimi më 25 mars koalicionin e saj me lëvizjen Vetëvendosje.

Të mërkurën ajo nënshkroi marrëveshjen me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, sipas ë cilës partia e zotit Ramush Haradinaj, do të ketë një zëvendëskryeministër dhe do të drejtojë katër ministri.

Koalicioni i ri qeverisës në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

“Zëvendëskryeministër i parë është Besnik Tahiri, pastaj ministre e Jashtme është zonja Meliza Haradinaj – Stublla, sa për opinion nuk është familjare e imja se zakonisht keqkuptohet, për ministër të drejtësisë është zoti Selim Selimi, ministër i zhvillimit ekonomik është Blerim Kuqi dhe ministër i arsimit është profesor Ramë Likaj”, tha zoti Haradinaj.

Kandidati i Lidhjes Demokratike për postin e kryeministrit, Avdullah Hoti, tha të martën se nënshkrimit të marrëveshjeve me partitë partnere pritet që të hidhen hapat e rinj për seancën e jashtëzakonshme të parlamentit për votimin e qeverisë së re.

Zoti Haradinaj tha sot se gjithçka është gati për seancën, por pa saktësuar se kur pritet të mbahet ajo.

“Me sa jam unë në dijeni janë përmbyllur të gjitha aspektet e marrëveshjeve për koalicionin qeverisës, megjithatë këtë më saktë e precizon mandatari. Por cdo gjë është e gatshme për seancë ta zëmë nesër ose një ditë tjetër, nuk e precizoj ditën sepse nuk e di, por mendoj që është çdo gjë e gatshme”, tha ai.

Kandidati për postin e kryeministrit Avdullah Hoti tha se gjatë ditës së sotme dhe mbase edhe nesër pritet përmbyllja e marrëveshjeve edhe partnerët tjerë të koalicionit.

Pjesë e koalicionit të ri qeverisës pritet të jenë edhe Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe partitë pakicave kombëtare.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja pas pandemisë dhe i vlerëson jokushtetuese planet për koalicionin e ri. Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Albulena Haxhiu nga kjo lëvizje, njëherësh ministre në detyre e drejtësisë, tha se kjo lëvizje do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese por edhe në Komisionin e Venecias dekretin e presidentit me të cilin pritet t’i jepet mandati Lidhjes Demokratike.

Javën e kaluar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi Lidhjes Demokratike të provojë formimin e qeverisë pak pasi që tha se do t’i jap mandatin kujtdo që dëshmon se e ka shumicën në parlament.

Thaçi i kërkon LDK-së sërish propozimin për mandatarin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha të mërkurën se ka marrë një letër të dytë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me përpjekjet për formimin e qeverisë së re.

Në një postim në facebook të kësaj partie thuhet se zoti Mustafa, “ia ka kthyer letrën duke e njoftuar për angazhimet dhe takimet intenzive të LDK-së, për të krijuar shumicën parlamentare, si dhe ka siguruar Presidentin se në një të ardhme shumë të afërt do të krijoj shumicën parlamentare dhe propozoj kandidatin për Kryeministër të Kosovës”.

Kjo është hera e dytë që presidenti Thaçi i drejton një letër të tillë Lidhjes Demokratike, përmbajtja e së cilës nuk është bërë publike.

Të gjitha partitë politike përveç lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur në favor të formimit të një qeverie të re.

Por, të mekurën, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se “asnjë deputet i Partisë Demokratike nuk do ta votojë qeverinë e mashtrimit. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje e bartin përgjegjësinë për situatën në të cilën na kanë sjellur. Ata duhet ta tejkalojnë vet këtë situatë, por zgjidhja më e mirë është që në momentin kur të krijohen kushtet, pas pandemisë të kemi zgjedhje demokratike, nga të cilat do të kemi edhe legjitimitet demokratik të qeverisë së re”, tha zoti Veseli.

Zoti Hoti tha se për aq kohë sa mund të krijohet një shumicë parlamentare në parlamentin e Kosovës nuk ka nevojë për zgjedhje.

“Deklarimet që janë bërë nga zoti Veseli janë deklarime të tij, ne jemi duke bërë përpjekje që të bëjmë bashkë një koalicion qeverisës funksional për t’i dal vendit zot në këtë kohë të pandemisë, për t’u marr me rimëkëmbjen ekonomike, për të marr përsipër seriozisht procesin e dialogut dhe për të rikuperuar marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtarë. Unë ju siguroj që do të ketë një komunikim si asnjëherë më përpara në mes të pozitës dhe opozitës për të lejuar opozitën që të luaj rolin korrektues dhe mbikëqyrës por edhe duke qenë plotësisht transparent karshi opozitës dhe duke kërkuar mbështetjen e tyre në proceset e mëdha siç është dialogu”, tha zoti Hoti.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë pasi që parlamenti miratoi me 25 mars një mocion të Lidhjes Demokratike të Kosovës për rrëzimin e qeverisë pjesë e së cilës ishte. Koalicioni u përça për shkak se Lidhja Demokratike kërkoi që tarifat ndaj mallrave serbe të hiqen në tërësi sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara që pezulluan programe dhe paralajmëruan sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG