Lidhje

Vjosa Osmani shkarkohet nga funksionet në Lidhjen Demokratike të Kosovës


Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës shkarkoi të shtunën mbrëma nga të gjitha funksionet partiake, zonjën Vjosa Osmani, që është nënkryetare e kësaj partie dhe njëherësh kryetare e parlamentit të Kosovës.

Vendimi pasoi propozimin e kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa, për të liruar nga detyra e nënkryetares dhe anëtares së kryesisë, Vjosa Osmanin dhe emërimin e Avdullah Hotit, aktualisht kryeministër aktual i Kosovës në pozitën e nënkryetarit të partisë.

Shkarkimi bë me votim nëpërmjet postës elektronike. Në një njoftim të Lidhjes Demokratike thuhet se “sa i përket propozimit për lirimin e znj. Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe nga Kryesia e LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 95 anëtarë, prej tyre 70 janë shprehur për (Po); 16 janë shprehur kundër (Jo), 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”.

Ndërkaq lidhur me propozimin që zoti Avdullah Hoti të jetë nënkryetar i LDK-së, “nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 99 anëtarë, prej tyre 92 janë shprehur për (Po); 3 janë shprehur kundër (Jo), 4 kanë abstenuar dhe 24 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Zonja Osmani duke reaguar ndaj vendimit tha se po përjashtohet e diferencohet për shkak të mbajtjes së fjalës.

“Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti; Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti; Thashë se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti. Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti; Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti; Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalën. U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundërshtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar”.

Para votimit në një letër drejtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, zoti Mustafa ka numëruar disa nga veprimet e zonjës Osmani që bien ndesh me qëndrimet e partisë.

“Zonja Osmani votoi dhe bëri thirrje kundër mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti. Ka kundërshtuar hapur koalicionin e Lidhjes Demokratike me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Alencën Kosova e Re dhe komuniteteve jo shumicë. Nuk e ka votuar kryeministrin Avdullah Hoti ... dhe iku nga përgjegjësia për të drejtuar seancën e parlamentit në ditën kur është zgjedhur qeveria e re e Kosovës e drejtuar nga Lidhja Demokratike”, tha mes tjerash zoti Mustafa.

Deputeti i kësaj partie, Haxhi Avdyli, përmes një njoftimi në llogarinë e tij në facebook, e cilësoi votimin si një vendim skandaloz.

”Votimi përmes emailit është një vendim mashtrues dhe frikacak si gjithmonë i disa njerëzve që s’kanë guxim qytetar të maten e thirren si pronarë të LDK-së . Këta se kanë problem edhe t’i manipulojnë rezultatet. Ekziston mundësia që rezultatet i këtij sondazhi Online mund te jenë manipuluar prandaj s’ka vlerë as juridike as obligativ për askënd. Ne dhe secili aktivist i LDK-së do e konsiderojnë këtë vetëm si një sondazh pavlerë derisa ky vendim të mos merret konform rregullave demokratike”, shkroi ai.

Vjosa Osmani mban aktualisht postin e kryetares së Parlamentit të Kosovës. Ajo u zgjodh me 3 shkurt të këtij viti, ditën kur u miratua edhe qeveria e koalicionit të lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike. Zonja Osmani ka kundërshtuar rrëzimin e qeverisë së ish kryeministrit Albin Kurti më 25 mars me një mocion të Lidhjes Demokratike.

Zonja Osmani në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar ishte kandidate për postin e kryeministrit nga Lidhjes Demokratike dhe doli kandidatja e dytë më e votuar pas kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ajo kundërshtoi krijimin e qeverisë së re dhe vendimin e saj të 6 qershorit, për të hequr masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG