Lidhje

Vetëvendosje sërish dërgon presidentin Thaçi në kushtetuese


Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi të mërkurën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkesën për vlerësimin e siç thuhet “veprimeve antikushtetuese të Presidentit në rastin e nxitjes, bindjes dhe detyrimit të deputetit Haxhi Shala për të ndryshuar qëndrimin për votën ndaj Qeverisë edhe ashtu jo legjitime”.

Vota e deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ishte vendimtare për formimin e qeverisë së Kosovës në fillim të qershorit dhe vendimi i tij kishte pasuar një bisedë me presidentin Hashim Thaçi dhe ish kryeministrin Ramush Haradinaj.

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se ndikimi ndaj deputetit të parlamentit të Kosovës në ndryshimin e votës ishte shkelje e rëndë kushtetuese.

Në njoftimin e kësaj lëvizjeje thuhet se “jashtë autorizimeve e në cenim të rëndë të vlerave, parimeve kushtetuese e demokratike, të ndarjes së pushteteve e ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, Presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Ai në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar që deputeti Shala ta ndryshoj qëndrimin dhe votën në seancën e jashtëzakonshme plenare të Kuvendit të Republikës të datës 3 qershor”, thuhet në njoftim.

Sipas Vetëvendosjes, Kushtetuta e Kosovës nuk i lejon presidentit rol aktiv në skenën politike dhe se sipas tyre veprimet e tij përbëjnë ndërhyrje të rëndë në rendin kushtetues të vendit.

“Si një qeveri pa legjitimitet dhe e paligjshme, të vetmen mbështetje e kishte tek aranzhimet jo kushtetuese në të gjitha fazat e saj. Tablonë e plotë të veprimeve antikushtetues të kësaj skeme e përmbushi rasti i ndërhyrjes dhe ndikimit mbi deputetin Haxhi Shala, duke i shkuar në shtëpi pasmesnatës. Këtë fakt, e shpalosi edhe publikisht deputeti i shënjestruar, por u konfirmua edhe nga vetë Thaçi e Haradinaj”, thuhet në njoftimin e lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, i cili kishte paralajmëruar votën kundër tha në ditën e votimit të qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti se kishte ndërruar mendje pas bisedave me presidentin Hashim Thaçi dhe ish kryeministrin Ramush Haradinaj. Vota e tij ishte vendimtare, për të formuar qeverinë e re.

Parlamenti i Kosovës miratoi me numrin minimal prej 61 votash, më 3 qershor përbërjen e qeverisë së re të koalicionit të Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe partive të pakicave.

Formimi i qeverisë së re pasoi rrëzimin e qeverisë së ish kryeministrit Albin Kurti me një mocion të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Nga 25 marsi deri më 3 qershor vendi mbeti me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së koronavirusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG