Lidhje

Zgjedhjet në Kosovë: Isa Mustafa do të largohet nga drejtimi i LDK-së


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha të hënën se do të tërhiqet nga drejtimi i partisë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Zgjedhjet në Kosovë: Isa Mustafa do të largohet nga drejtimi i LDK-së
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:37 0:00

Kur janë numëruar mbi 99 për qind të votave të hedhura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, lëvizja Vetëvendosje është fituese e thellë e tyre.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.88 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.36 për qind, Lidhja Demokratike me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.40 për qind.

Zoti Mustafa tha pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij se rezultati është shumë i keq për Lidhjen Demokratike.

"Vota e qytetarëve është ajo e cila respektohet dhe në shenjë të respektimit të kësaj vote dhe të hapjes së rrugëve mëtutjeshme për riorganizim të LDK-së, unë sot e kam njoftuar kryesinë se do ta thërras Kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së në një periudhë të shpejtë kohore. Me statut e kemi 60 ditë që ta bëjmë këtë, por do ta bëjmë shumë më shpejt në mënyrë që LDK-ja të ketë së shpejti kryetarin e ri. Në ndërkohë ne do të bëjmë të gjitha përgatitjet përmes kryesisë në mënyrë që ky proces të kryhet sa më me sukses. Unë vlerësoj se barti një përgjegjësi objektive si kryetar i LDK-së për këtë që na ka ndodhë pavarësisht se vet nuk kam qenë në proces të zgjedhjeve por dua ta ruaj të LDK-në, dua që LDK të forcohet dhe të rikthehet si forcë e rëndësishme politike sepse i nevojitet Kosovës dhe na nevojitet neve", tha zoti Mustafa.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se në zgjedhjet e së dielës morën pjesë 47 për qind e 1 milion e 794 mijë votuesve rë regjistruar, një pjesëmarrje më e lartë sesa ajo në zgjedhjet e vitit 2019 kur votuan 44 për qind e votuesve të regjistruar.

Kosovë, sfida e formimit të institucioneve të reja
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:59 0:00

Fitorja e lëvizjes Vetëvendosje është më e thella që ka shënuar ndonjë parti politike të tetë palë zgjedhje që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Mbështetës të kësaj lëvizjeje kremtuan mbrëmë pas publikimit të rezultateve të para me gjithë thirrjet e këtij subjekti që të mos kremtohet për shkak të motit të ligë dhe drojës nga pandemia Covid-19.

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti dhe udhëheqësja e listës Guxo, Vjosa Osmani thanë mbrëmë se zgjedhjet e së dielës ishin një referendum.

“Nuk do të hakmerremi ndaj askujt por do të kërkojmë përgjegjësi ndaj secilit dhe kudo, pra drejtësi pa hakmarrje. Kjo fitore nuk është për mua dhe as për lëvizjen Vetëvendosje, kjo është fitorja juaj prandaj secili prej nesh duhet të marr përgjegjësinë që ta bëjmë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë ashtu siç i dashur për të gjithë”, tha zoti Kurti.

“Ky assesi nuk është një mandat për hakmarrje e po ashtu nuk është një mandate i kthimit prapa. Ky është kapitull i punëve që do të kryhen, është mandate kur ne nderojmë historinë tonë të përbashkët kur ne e garantojmë mirëqenien, e luftojmë me ngulm dhe pa kompromis korrupsionin, sigurojmë drejtësisë dhe punojmë me zell të madh për barazinë”, tha zonja Osmani.

Zoti Kurti tha ndërkaq se nuk do të jenë përparësi e punës së tij bisedimet me Serbinë.

“Nuk do ta kemi prioritet ne formimin e ekipit të dialogut me Serbinë, ju e dini shumë mirë që në të gjitha matjet e opinionit publik dialogu me Serbinë është herë në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë, neve na kanë zgjdhur këta qytetarë dhe ne u përgjigjemi atyre, prioritet e kemi drejtësinë dhe punësimin”, tha zoti Kurti.

Por këto bisedime bashkë më rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë së COVID-19 që çoi në rënie ekonomike dhe rritje të papunësisë, pritet të jenë ndër sidat e para të institucioneve të reja të Kosovës.

Procesi i formimit të institucioneve

Në pritje të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, debatet tash janë përqendruar në procesin e formimit të institucioneve të reja, posaçërisht zgjedhjen e presidentit të ri për çka kërkohen dy të tretat e votave të parlamentit 120 vendesh.

Por, si mund të rrjedhë ky proces?

“Faza tjetër tani është certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, pas kësaj normalisht vjen konstituimi i parlamentit që nënkupton emërimin e kryetarit të ri, pesë nënkryetarëve dhe betimin e deputetëve. Pas kësaj fillon faza për formimin e qeverisë së re, ku partia fituese, në këtë rast Vetëvendosje, duhet të dërgojë të nominuarin te presidenti, presidenti e dërgon pastaj te kryetari i parlamentit ku brenda 15 ditëve duhet që i nominuari t’a dërgojë për miratim kabinetin qeveritar”, thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Sipas Kushtetutës, deri në formimin e qeverisë së re, detyra e presidentit që aktualisht ushtrohet nga Vjosa Osmani, duhet t’i kalojë kryetarit të ri të parlamentit të Kosovës, thotë ai.

Në bazë të Kushtetutës duhet që deri me 6 prill të këtij viti parlamenti ta ketë emrin e presidentit të ri të Republikës, nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë do të shkeleshin afatet ligjore që të cilat përcaktojnë që së paku 30 ditë para datës së skadimit të, në këtë rast ushtruesit të detyrës së presidentit, të kemi presidentin e ri, vendi lehtësisht mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, thotë zoti Miftaraj.

Jehona Lushaku, profesoreshë e studimeve politike, i tha Zërit të Amerikës se pas formimit të qeverisë sfida do të jetë në sigurimin e shumicës parlamentare për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Normalisht që ky proces kërkon gatishmëri për kompromis edhe kërkon harmonizim të prioriteteve ndërmjet partive politike. Në këtë rast Vetëvendosje ka një përparësi të dukshme krahasuar me partitë e tjera për shkak se ka një shumicë të konsoliduar dhe i duhet një partner që jo domosdoshmërisht është i madh për nga numrat. Unë pres që Vetëvendosje të ketë këtë gatishmëri dhe në një të ardhme shumë të afërt të formohen institucionet e Kosovës”, tha zonja Lushaku.

Bashkimit Evropian tha të hënën se pret formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës dhe përfshirjen e saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Analistët thonë se qeveria e re do të ndodhet përballë trysnisë për këtë çështje.

“Edhe pse Vetëvendosje, ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk është prioritet, kryeministri i ardhshëm do të jetë nën trysni për të formuar një platformë e cila do t’i përgjigjej dialogut me Serbinë dhe do të duhej që të jetë pjesëmarrës në dialogun i cili do të ndërmjetësohet nga Bashkimit Evropian, kjo për shkak se Bashkimi Evropian dëshiron të përmbyllë këtë çështje por është edhe jetike që secila qeveri që ka legjitimitetin nga qytetarët e Kosovës të jetë përgjegjëse dhe të marrë pjesë në këtë dialog”, tha zonja Lushaku.

“Ne duhet ta kemi një gjë të qartë, Kosova është një vend i vogël i cili varet nga mbështetja, ndihma dhe bashkërendimi me bashkësinë ndërkombëtare posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kosova nuk është shtet i cili mund ta orientojë politikën e jashtme në kundërshtimet me zotimin ndaj marrëveshjes për Stabilizim Asociim, apo zotimet për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë”, thotë zoti Miftaraj.

Qëndrimet e lëvizjes Vetëvendosje rreth bisedimeve kanë nxitur vazhdimisht debate rreth mundësisë së ndërlikimit të përpjekjeve ndërkombëtare për t'i dhënë fund procesit të zgjidhjes së problemeve ndërmjet dy vendeve që aspirojnë integrimet evropiane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG