Lidhje

Thaçi: muri në Mitrovicë nuk diskutohet me Serbinë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën se çështja e murit në veriun e Mitrovicës është çështje e brendshme e Kosovës dhe nuk do të diskutohet me autoritetet e Beogradit.

Ai i bëri këto komente në ditën e fundit të afatit të përcaktuar me një rezolutë të miratuar nga Parlamenti i Kosovës, më 29 dhjetor të vitit të kaluar, për rrënimin e murit në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse të Mitrovicës, në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

Muri që është ngritur nga autoritetet lokale serbe në veriun e Mitrovicës, kishte nxitur reagime të shumta të autoriteteve dhe partive politike në Kosovë të cilat thanë se ngritja e tij bie ndesh me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes në qytetin e ndarë të Mitrovicës.

Autoritetet lokale serbe thonë se muri është pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në funksion të rregullimit të mjedisit në atë zonë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se afatet e përcaktuara nga rezoluta e Parlamentit të Kosovës për prishjen e këtij muri, duhet të zbatohen dhe se kjo është punë e brendshme e institucioneve.

“Çështja e murit nuk është çështje që duhet të diskutohet dhe nuk do të diskutohet me autoritetet e Beogradit, është çështje e brendshme kushtetuese dhe ligjore dhe në autoritetin e plotë të institucioneve vendore”, tha ai, duke bërë thirrje njëkohësisht që çështjet e hapura lidhur me shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të përmbyllen.

Çështja e këtij asociacioni dhe tema të tjera pritet të jenë temë e bisedimeve të mërkurën ndërmjet Kosovës e Serbisë që pritet të mbahen në nivelin më të lartë politik në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Bisedimet e radhës do të jenë vazhdim i takimit të mbajtur më 24 janar ku të dyja palët u pajtuan që të lënë tensionet prapa dhe të përqendrohen në punën në kuadër të bisedimeve.

Ndërtimi i murit në veriun e Mitrovicës, ndalimi i ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në bazë të një urdhër arresti serb dhe ndalimi i hyrjes në territorin e Kosovës të një treni të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës, me mbishkrimin "Kosova është Serbi" kishte nxitur luftë fjalësh të ashpra ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe shqetësimet e diplomatëve për rritjen e tensioneve ndërmjet të dyja vendeve.

Kjo bëri që zyrtarët evropianë të riaktualizojnë bisedimet në nivelin e lartë politik pas gati një viti në përpjekje për të shtendosur situatën.

XS
SM
MD
LG