Lidhje

Thaçi: Nuk do të ketë vija të kuqe në bisedimet me Serbinë


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha të enjten se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë është një mundësi që Kosova nuk guxon ta humbë, ndryshe sipas tij, rrezikon të mbetet në pozicion si të Palestinës.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë, për të sqaruar bisedimet e së dielës me presidentin e Serbisë, që u mbajtën në Bruksel.

Presidenti Thaçi tha se pas një dekade është një ri përqendrim i bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor dhe ky rast nuk guxon të lëshohet.

“Nuk kemi kohë për të humbur, nuk kemi kohë për manovra apo debate të kota e të thata, jemi përcaktuar në favor të dialogut dhe duhet të gjejmë modalitetet. Kështu që marrëveshja që do të arrijmë në Bruksel natyrisht se do të ratifikohet në parlament, por duhet të ndodh shpejt. E ritheksoj, bota nuk na pret, nuk humb edhe shumë kohë me neve, fat që kemi një rifokusim të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe të ardhmen euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor dhe këtë momentum duhet ta shfrytëzojmë”, tha ai.

Presidenti Thaçi, tha se nuk mund të ketë zgjidhje të përkohshme, por duhet një marrëveshje përfundimtare.

“Nuk do të ketë vija të kuqe në rastin siç ka qenë nga Grupi i Kontaktit në bisedimet e Vjenës. Do të bisedohen vetëm temat për të cilat pajtohen të dyja palët si mundësi që dërgon deri te arritja e marrëveshjes përfundimtare. Nuk do të ketë marrëveshje tjetër të përkohshme, palët nuk do të lejohen të kushtëzojnë negociatat me çfarëdo çështje”,tha ai, duke nënvizuar se marrëveshja përfundimtare duhet të jetë e dizajnuar në kornizat e kritereve, standardeve dhe vlerave të perspektivës evropiane dhe euro-atlantike.

Presidenti Thaçi tha se beteja me Serbinë tani zhvillohet në tryezën e bisedimeve në Bruksel ndërsa bëri thirrje për arritjen e një konsensusi sa më të gjerë politik në Kosovë për këtë cështje.

“Arritja e marrëveshjes me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian dhe në paktin NATO për të siguruar vendin e merituar në arenën ndërkombëtare. Në fund të procesit duhet të ndodhë njohja reciproke përndryshe këto negociata do të ishin krejt të pakuptimta”,tha ai.

Pas deklaratave të presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar Lidhja Demokratike në opozitë. Në një komunikatë për opinion të kësaj partie thuhet se “presidenti i Kosovës, i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë, sot, ende pa nisur mirë ky dialog, hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë”.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se është e domosdoshme që parlamenti urgjentisht të vendos vijat e kuqe për presidentin, që sipas LDK-së, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit.

“Secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”,thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje.

Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një "kompromis", por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai. Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t'i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë nga Prishtina.

Të dyja palët pritet të shpeshtojnë takimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian në kërkim të një marrëveshjeje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG