Lidhje

Parakalim me makina në mbështetje të komunitetit LGBTI në Kosovë


Përfaqësues të komunitetit LGBTI në Kosovë thanë të hënën se pabarazitë dhe shkeljet ndaj të drejtave të këtij komuniteti janë shtuar ndjeshëm gjatë pandemisë, meqë shumë të rinj janë detyruar të kthehen dhe të jetojnë me familjet e tyre prej të cilave janë larguar.

Këto komente u bënë gjatë paradës së krenarisë, e cila këtë vit u shënua me një parakalim me makina, për shkak të masave mbrojtëse nga COVID-19.

Lendi Mustafa, përfaqësues i komunitetit LGBTI, tha se parada e tretë e krenarisë në Kosovë, këtë vit ka moton “Po du”, dhe përmes saj kërkohen mundësi të barabarta për martesë mes pjesëtarëve të gjinisë së njëjtë.

“Parada ka qenë me sloganin ‘I do’ ose në shqip “Po du” dhe kemi adresuar çështjen e kodit civil për martesat për shkak që ne e shohim si diçka të padrejtë se neve nuk na lejohen martesat edhe pse Kushtetuta na garanton këto të drejta”, tha ai.

Në korrik të këtij viti dyzetenëntë organizata të shoqërisë civile në Kosovë, e cilësuan diskriminues projekt Kodin Civil i cili hap rrugë për rregullimin përmes një ligji të posaçëm të martesave ndërmjet personave të seksit të njëjtë.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi deklaroi atëbotë se “është ruajtur nukleusi tradicional i martesës, por format tjera të bashkësisë civile është paraparë që të rregullohen me ligj të veçantë”. Por, organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se projekt Kodi synon të ndajë të drejtën për partneritet për personat LGBTI nga e drejta e të gjithë qytetarëve të tjerë të Kosovës.

Ata thonë se “të gjitha partneritetet e mundshme duhet të rregullohen me Kodin Civil dhe se qasja e të rregulluarit të partneriteteve tjera me ligje të posaçme është shkelje fundamentale e të drejtave të personave LGBTI në Kosovë, si dhe nuk paraqet gjithëpërfshirjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës”.

Të hënën, kryeministri Avdullah Hoti shkroi në rrjetet sociale se mbrojtja e të drejtave të personave të këtij komuniteti është përgjegjësi e të gjitha institucioneve në vend. Prandaj, tha ai, sot në të gjitha ndërtesat qeveritare janë vendosur flamuj shumëngjyrësh, simbolikë kjo e mbështetjes institucionale dhe respektimit të universalitetit të të drejtave të njeriut dhe parimit themelor të barazisë dhe mos diskriminimit.

Në mbështetje të këtij komuniteti paradës së sotme iu bashkuan edhe diplomatë ndërkombëtarë që veprojnë në Prishtinë. Ambasada amerikane në Kosovë në një postim në rrjetet sociale tha se “derisa kremtojmë krenarinë tonë, ritheksojmë se të gjitha qeniet njerëzore meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe respekt”.

Kosova ka miratuar në vitin 2004 ligjin kundër diskriminimit dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBTI thonë se kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe të drejtat e këtij komuniteti, por ai ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG