Lidhje

Princi Charles nderon viktimat e luftës në Kosovë


Princi britanik, Charles, tha të shtunën se i është thyer zemra nga rrëfimet e familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ndërsa bëri thirrje për ngritjen e urave të bashkëpunimit ndërmjet popujve dhe besimeve.

Princi Charles dhe Dukesha e Cornwall, Camilla, zhvilluan një takim emocional me një grup familjarësh të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ata vunë buqeta lulesh në përmendoren kushtuar të zhdukurve në Prishtinë dhe u përqafuan me pjesëtaret e organizatës Thirrjet e Nenave, të cilat kërkuan nga çifti mbretërorë të ushtrojnë ndikimin e tyre për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.

Presidentja e Kosovës, dekoroi princin Charles me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e tij jetësor në përkrahje të paqes, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërmjet popullit të Kosovës dhe më gjerë.

Princi i cili pasdite shkoi në Prizren për të marrë pjesë në një konferencë ndërfetare, takoi përfaqësuesit e tri besimeve në Kosovë, bëri thirrje për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

"Më vjen shumë mirë që pata mundësinë të vizitojë xhaminë, kishën ortodokse dhe katedralen katolike. Ajo çfarë kam dëgjuar sot këtu dhe në Prishtinë, në disa raste më ka thyer zemrën. Dëgjova disa familje që kanë humbur njerëzit e tyre të cilët llogariten si të zhdukur. Më pyeten nëse mund t'u ndihmoja dhe unë do të doja t'u ndihmoja. Më duket se në botë ka shumë humbje të panevojshme të jetëve dhe të shkatërrimeve dhe këtë po e shohim edhe në Lindjen e Mesme. Kjo është e pakuptimtë dhe kjo na thyen zemrat", ta mes tjerash Princi Charles.

Ai vizitoi gjatë ditës së shtunë edhe Shtabin e forcave të NATO-s në Prishtinë dhe bëri nderime tek monumenti kushtuar mbi 100 ushtarëve të NATO-s që humbën jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë që nga përfundimi i luftës që la pas vetes trashëgimi të dhimbshme.

Dukesha Camilla dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, takuan edhe një grup të grave grup të grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ato diskutuan për rrugët e rehabilitimit të mijëra viktimave të kësaj forme të dhunës, një çështje që në Kosovë ndiqet ende nga heshtja për shkak te frikës nga stigmatizimi, që është pengesa kryesore në procesin e rehabilitimit, qasjes në drejtësi dhe ri integrimit të viktimave.

Princi Charles kishte vizituar Kosovën në shtator të vitit 1999 pak muaj pasi që ndërhyrja e trupave të NATO-s i dha fund luftës gati dyvjeçare ndërmjet forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Roli i Britanisë së Madhe në Kosovë vlerësohet me rëndësi për proceset që çuan në çlirimin e saj në vitin 1999 dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008.

Vizita në Kosovë, ishte ndalesa e fundit e çiftit mbretëror në Ballkan, i cili vizitoi edhe Serbinë, Malin e Zi dhe Kroacinë.

Vizita e çiftit mbretëror ndodhi në një periudhë shqetësimesh se tensionet në Ballkan mund të rriten nga kriza e migruesve.

Princi Charles viziton Kosovën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00

XS
SM
MD
LG