Lidhje

Akuzë për terrorizëm, kërcënoi edhe kryeministrin e Kosovës


Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të enjten aktakuzë kundër një të dyshuari për nxitje të veprave terroriste dhe armëmbajtje pa leje

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se personi, që është identifikuar vetëm me nistoret, B.E. nga komuna e Drenasit rreth 30 kilometra në perëndim të Prishtinës, akuzohet se “nga muaji gusht i vitit 2018 e deri në muajin janar të vitit 2019, si administrator i një kanali në rrjetet sociale, me anë të fotografive dhe videoregjistrimeve ka bërë propagandë në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit në botë për krijimin e Shtetit Islamik”.

Sipas prokurorisë, i pandehuri B.E. të cilin mediet lokale e identifikuan si Bledard Elshani,me datën 23.08.2018, përmes po të njëjtit kanal ka postuar foton e animuar me mbishkrim: “Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”, dhe më 10.01.2019, përmes kanalit të njëjtë ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj me mbishkrimin “do t’ju vijë fundi o taguta shqiptar bi’ idhnilah”, i bërë nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS””.

I dyshuari ishte arrestuar më 11 janar të këtij viti, ndërsa gjatë bastisjes së shtëpisë nga policia e Kosovës ishte sekuestruar një “Iphone 6” pasi që i është gjetur një fotografi kërcënuese si dhe një thikë.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa rreth 130 syresh janë kthyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.

Autoritetet në Kosovë, thonë se edhe më tej pesëdhjetë shtetas të Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë në zona të konfliktit në Siri e Irak, bashkë me rreth 44 gra dhe 110 fëmijë, shumica prej të cilëve janë lindur në ato territore. Kthimi i tyre sipas institucioneve të sigurisë paraqet sfidë të madhe për sigurinë e Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG