Lidhje

Kosovë, aktakuzë për bashkim në organizatë terroriste


Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë kundër një shtetasi të Kosovës nën dyshimet për veprën penale "bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj".

Sipas aktakuzës i pandehuri, me 26 maj të vitit 2017 “me vullnet dhe vetëdije të plotë është nisur që të udhëtoj për në Siri, me qëllim që t’u bashkohet organizatave ushtarake në Siri”.

Në njoftimin e prokurorisë në të cilin i akuzuari identifikohet si R.D. thuhet se “pas shkuarjes së tij në Republikën e Turqisë, autoritetet e Republikës së Kosovës kanë bërë kërkesë për kthimin e tij në Kosovë”.

Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale, “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës",thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në pranverën e vitit 2015 parlamenti i Kosovës miratoi një ligj që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.

Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë. Rreth 60 veta kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG