Lidhje

Akuzë për kërcënim ndaj ambasadorit të Kosovës në Francë


Prokuroria e Posaçme e Kosovës
Prokuroria e Posaçme e Kosovës

Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti të martën aktakuzë ndaj një personi për shkak të veprës penale “shtytje për kryerjen e veprave terroriste”.

Në një njoftim të kësaj prokurorie thuhet se i pandehuri F.M. me 19 tetor të këtij viti “përmes rrjetit social Facebook, në Fushë Kosovë, me paramendim dhe dashje ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese ndaj Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë z. Qëndrim Gashi, me përmbajtje “shkurt e shqip duhet të vritet Qëndrim Gashi” dhe “ka si ti ende do vritet edhe ky qeni Qëndrim Gashi”, për shkak se i dëmtuari në profilin e tij në “Twitter” kishte postuar një karikaturë të profetit Muhamed, si shenjë reagimi ndaj vrasjes së mësuesit në Francë, ashtu që i pandehuri me këto postime ka bërë thirrje me qëllim të shtytjes për kryerjen e aktit terrorist e duke shkaktuar rrezik që një apo më shumë vepra të këtilla të kryhen”.

Ambasadori i Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi, u përball me reagime pasi që shpërndau në rrjetet sociale një artikull të gazetës franceze “Le Figaro” që paraqiste një kronologji të vrasjes së mësuesit francez, Samuel Paty, me 16 tetor, në periferi të Parisit nga një 18-vjeçar, çeçen, i cili më pas u vra nga policia.

Mësuesi i historisë u vra, pasi ai kishte treguar në klasë karikatura të Profetit Muhamed. Shumë myslimanë e shohin çdo shëmbëlltyrë të profetit si ofendim ndaj besimit të tyre.

Në adresën e ambasadorit Gashi u bënë edhe kërcënime dhe policia e Kosovës arrestoi të paktën një prej kërcënuesve.

Ambasadori Gashi, tha atëbotë se mëdyshjet në shoqërinë e Kosovës zgjidhen përmes ligjit dhe jo përmes kërcënimeve e dhunës, ndërsa u bëri thirrje të gjithë atyre që dyshojnë se ai e ka shkelur ligjin - duke shpërndarë në rrjetet sociale një artikull që përmbante karikaturat e Profetit Muhamed të revistës Charlie Hebdo, ta sfidojë atë në gjykatë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG