Lidhje

Kosovë: Dy të akuzuar për pjesmarrje në luftën e Sirisë


Pamje nga qyteti Raqqa në Siri në vitin 2017
Pamje nga qyteti Raqqa në Siri në vitin 2017

Në Kosovë prokuroria e posaçme ka vazhduar me ngritjen e akuzave ndaj një grupi të kthyerish nga Siria në pranverën e këtij viti.

Të hënën ajo tha se ka ngritur aktakuzë “kundër të pandehurës A.M-Z. për shkak të veprës penale ”organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Sipas aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura A.M-Z. me dashje dhe vetëdije të plotë më 12 prill të vitit 2014, ka kaluar përmes pikës kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, së bashku me bashkëshortin e saj A.M. dhe vajzën e saj ku kanë udhëtuar në drejtim të Stambollit – Turqisë, dhe më pas kanë vazhduar për në Siri, në zonën e konfliktit Siri-Irak me qëllim që t’u bashkëngjiten grupeve terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”.

Në njoftimin e prokurorisë së posaçme thuhet se “gjatë qëndrimit në zonat e luftës ka pasur vizita nga persona të ndryshëm, në mesin e të cilëve L.M., R.H. me gruan e tij dhe të tjerë, si dhe gjatë qëndrimit në Siri, në zonat e luftës ka pranuar shuma nga 50 deri 150 dollarë për muaj, pako ushqimore dhe gjëra higjienike dhe se bashkëshorti i saj A.M. ka ushtruar me ushtrinë Siriane, si dhe ka dhënë ligjërata në xhaminë në qytetin Minbixh. Ndërsa, e pandehura A.M-Z. më 20 prill 2019, nga autoritetet e drejtësisë amerikane është riatdhesuar – kthyer në Kosovë”.

Po të hënën, prokuroria tha se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.K. për veprën e njëjtë, “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Sipas prokurorisë,i pandehuri A.K. në kohë të pavërtetuar të muajit korrik të vitit 2014, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, ashtu që nga Aeroporti Ndërkombëtarë “Adem Jashari” në Prishtinë, ka udhëtuar për në Stamboll dhe më pastaj me linjë tjetër të autobusit ka shkuar në qytetin Gazientep”.

Në njoftim thuhet se “i pandehuri A.K. sipas udhëzimeve të pjesëtarëve të ISIS-it, pasi që është vendosur në një shtëpi me disa persona të tjerë kanë kaluar kufirin në këmbë duke arritur në qytetin Raqqa dhe pasi që është regjistruar në ISIS, ka vijuar trajnimet taktike dhe luftarake me armë të zjarrit, më pastaj ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë, fillimisht si anëtarë i batalionit “ABU MUSAB Al ZARQAWI”, dhe në tetor të vitit 2015, është transferuar në batalionin “UMAR HATTAB” në Damask”.

Ndërkaq, në pranverë të vitit 2016, thuhet në njoftim, “gjatë një sulmi në aeroportin ushtarak “AL-DAMAY”, për derisa ishte me automjet me pjesëtarë të tjerë të ISIS-it, kanë hasur në një minë tokësore ku është plagosur rëndë në kokë dhe pas 4 muajve qëndrimi në spital është aktivizuar në policinë ushtarake të ISIS-it. Me 29 dhjetor të vitit 2017, i pandehuri është arrestuar nga forcat demokratike Siriane ku ka qëndruar deri më datë 19 prill të vitit 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë”.

Dy të akuzuarit janë pjesë e grupit prej 110 personash që u kthyen në prill të këtij viti në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Nga të kthyerit, 32 janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra. Menjëherë pas kthimit burrat u dërguan në burg, ndërsa autoritetet filluan hetimet ndaj 32 grave. Tashmë disa prej tyre janë nën aktakuzë dhe të paktën njëra nga gratë është dënuar me kusht, ndërsa njëri nga burrat me katër vjet heqje lirie.

Disa dhjetëra qytetarë të Kosovës përfshirë gra e fëmijë vazhdojnë të mbeten në zonat e konfliktit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG