Lidhje

Kosovë: Ratifikohet marrëveshja për kufirin me Malin e Zi


Me 80 vota për dhe 11 kundër Parlamenti i Kosovës ratifikoi marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Marrëveshja u votua nga partitë në pushtet dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë ndërsa kundër saj votuan Grupi i Pavarur i Deputetëve, grup ky i dalur nga lëvizja Vetëvendosje.

Ratifikimi i marrëveshjes pasoi ndërprerjen e seancës për katër herë me radhë pasi që deputetët e lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës për të penguar ratifikimin e marrëveshjes.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tashmë ka ndaluar pesë deputetë të lëvizjes Vetëvendosje të dyshuar për hedhjen e gazit lotsjellës.

Seanca për votimin e marrëveshjes pasoi debatin prej rreth nëntë orësh të një dite më parë, në përpjekje për t'i dhënë fund një periudhe më shumë se dy vjeçare të përplasjeve e mospajtimeve të thella ndërmjet subjekteve politike të ndara rreth rrjedhojave të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kishte ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në rrjetin social Facebook tha se parlamenti i dha fund paqartësisë së panevojshme politike rreth vijës kufitare me Malin e Zi.

“Ratifikimi i sotëm i marrëveshjes ndërshtetërore, që mbajti peng përplot tre vjet liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, ishte veprim i drejtë i shumicës parlamentare. Ishte një veprim që garanton dhe forcon të ardhmen euroatlantike, duke i hapur rrugë shumë proceseve të rëndësishme për shtetin tone”, thuhet në reagimin e presidentit Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se “Kosova mbetet e përkushtuar në krijimin e një shoqërie demokratike, të bazuar në rend e ligj dhe tani vendi pret që Bashkimi Evropian të bëjë pjesën e vet, ashtu siç u premtua, që më në fund qytetarëve të Kosovës t'u mundësohet lëvizja e lirë në BE, si të gjithë evropianëve tjerë”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie përshëndeti ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

“Ky është lajm me të vërtetë i mrekullueshëm, parlamenti i Kosovës bëri gjënë e duhur dhe në emër të vendit tim dua të falenderoj të gjithë ata deputetë që në mënyrë demokratike kanë votuar për marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi”, tha ai.

Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha se shumica dërrmuese e deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje ose u arrestuan ose u përjashtuan padrejtësisht. Ai tha se vazhdon të jetë i bindur se me këtë marrëveshje Kosova humb territor.

“Definitivisht u vërtetua ajo që kemi paralajmëruar se kryeministri Haradinaj për çerek metri katrorë të karrikës së kryeministrit i fali 8 mijë e 200 hektarë. Nëse ai beson që do të mund të korrigjojë ndonjë gjë atëerë këtu kemi të bëjmë me vet mashtrim të tij. Krimi mbi shtetin, tradhtia ndaj popullit sot përveç emrit të Thaçit e Veselit e ka marr edhe emrin e Haradinajt e qe besa edhe të këtyre deputetëve të tjerë të cilët kush me sy të verbër e kush me një sy e votuan një marrëveshje e cila i përngjanë shumë pranverës të vitit 1989 atëherë kur delegatët më së paku përfaqësonin popullin e më së shumti regjimin”, tha zoti Kurti.

E nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015, marrëveshja tashmë është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje pritet t’i hap rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës ndërsa ishte edhe një nga kushtet që Kosova duhet përmbushë drejt rrugës së saj drejt integrimeve evropiane.

Reagime nga zyrtarët e Bashkimit Evropian

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini përshëndeti ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Në një postim në rrjetin social Twitter, zonja Mogherini tha se “Kosova niset në rrugën drejt lëvizjes së lirë pa viza në Bashkimin Evropian për qytetarët e saj”.

Europarlamentarja, Tanja Fajon që njëherësh është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian tha se me këtë marrëveshje është hequr një pengesë e madhe për Kosovën.

“Shumë e lumtur për lajmet pozitive nga Kosova pas votimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit. Një pengesë e rëndësishme është tejkaluar për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Unë do të bëj më të mirën që liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian së shpejti të bëhet një realitet! Kosova nuk ka qenë kurrë më pranë Evropës”, shkruan zonja Fajon në rrjetin social Twitter.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG