Lidhje

QKSS: Rusia po sfidon shtetësinë e Kosovës


Në një raport të publikuar nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë në Prishtinë thuhet se Kosova është e ekspozuar ndaj një fushate të gjerë ndikimi në rritje të ndërhyrjes ruse kundër, siç thuhet, modelit të shtet-ndërtimit perëndimor dhe vlerave të tij demokratike, veçanërisht që nga viti 2008.

Raport: Fushatë ruse për të sfiduar shtetësinë e Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:27 0:00

Ky konstatim është pjesë e një hulumtimi të publikuar nga kjo qendër me titull “Ndërhyrja e Rusisë në Kosovë: si dhe pse?, të autorit Pëllumb Kallaba sipas së cilit, Rusia po përdorë instrumente të ndryshme jo-ushtarake kundër karakterit shumë etnik të Kosovës, me qëllim që të krijohen pretekste për një shtet të dështuar si dhe të rritet separatizmi lokal brenda komunitetit serb në komunat veriore.

Në hulumtim thuhet se “Rusia vazhdon të përbëjë një sfidë serioze për shtetësinë e Kosovës duke minuar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe mbetet e interesuar për ruajtjen e status quo-së së Kosovës”.

Po ashtu raporti vë në pah vizitën e qytetarëve rus në Kosovë që sillet më shumë se një mijë veta në vit. “Ndërsa numri i qytetarëve rusë që vizitojnë Kosovën rritet, roli aktual i Rusisë në Kosovë më së miri tregohet nga konteksti i veriut të Kosovës. Lidhjet midis partive politike nga komuniteti serb dhe partisë politike te Rusisë së Bashkuar janë vazhdimisht në rritje, ndërsa krijimi i Asociacionit të komunave serbe mund të paraqes terren të ri për një angazhim më të fortë të Rusisë për të nxitur nacionalizmin lokal në Kosovë”, thuhet në raport duke nënvizuar se faktori fetar paraqet një element të rëndësishëm për Rusinë në Kosovë ku përmes mbështetjes së Kishës Ortodokse Serbe, Rusia kërkon të ruajë dhe të rrisë një prani të fortë emocionale në mesin e komunitetit serb në Kosovë.

Raporti i Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë nxjerrë në pah po ashtu se prezenca e mediave pro-ruse në Serbi është një kartë e rëndësishme në përhapjen e propagandës pro-ruse midis serbëve të Kosovës. “Lajmi i rremë është fabrikuar përmes disa mediave ruse, duke përfshirë Sputnik dhe Russia Today, të cilat e kanë shënjestuar Kosovën për propagandë dhe aktivitetet e lajmeve të rreme në rajon në të gjitha gjuhët me qëllim që ta portretizojë Kosovën si një shtet të dështuar”.

Sipas raportit, mediat ruse po përdorin gjuhët angleze, frënge dhe gjermane për të shkruar kundër Kosovës dhe gjatë dy viteve të fundit janë botuar më shumë se dy mijë artikuj në gjuhën angleze për Kosovën me tema kryesore që kanë të bëjnë për krimin e organizuar në Kosovë dhe ISIS-in.

Sipas raportit, institucionet e Kosovës nuk janë të pajisura siç duhet për të parandaluar sulmet hibride ruse nëpërmjet mjeteve ekonomike dhe politike që synojnë të arrijnë politikat e saj në Kosovë dhe nuk ka vetëdije të madhe për interesat ruse në rajon.

Po ashtu “Pozicioni i paanshëm i Serbisë ndaj anëtarësimit në NATO, së bashku me perceptimin negativ të publikut për aleancën ushtarake perëndimore, mbetet një shqetësim serioz për perspektivën euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor. Operacioni enigmatik i të ashtuquajturit Qendra Humanitare Ruse-Serbe me qendër në qytetin e Nishit që nga viti 2011, krahas stërvitjeve ushtarake në rritje dhe investimeve midis të dy vendeve, duhet të konsiderohet si një kërcënim afatgjatë i sigurisë jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet fqinje”, thuhet në hulumtim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG