Lidhje

Haradinaj: dhuna ndaj serbëve të FSK-së, e papranueshme


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të enjten se Forca e Sigurisë do të jetë shumë etnike dhe se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin rolin e serbëve në këtë forcë, me gjithë kërcënimet ndaj tyre.

Ai i bëri këto komente në hapje të konferencës “Forca e Sigurisë dhe Partnerët”, në një kohë kur shumë pjesëtarë serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës, po përballen me trysni që të braktisin këtë forcë.

Më shumë se 70 pjesëtarë të komunitetit serb e kanë braktisur Forcën e Sigurisë për shkak të trysnive nga Beogradi.

“Pa dyshim që tranzicioni do ta nxjerrë Forcën e Sigurisë shumë etnike dhe me profesionalizëm edhe pse shumë etniciteti i forcës sonë është duke u kërcënuar nga aktet e dhunës që janë të papranueshme dhe dua të falënderoj çdo institucion dhe çdo shtet që dënon këto kërcënime. Janë të papranueshme kërcënimet ndaj njerëzve dhe anëtarët e familjeve të tyre. Kështu që ne do të vazhdojmë t'u ofrojmë serbëve të Kosovës, serbëve të rinj, rolin e tyre në forcën e tyre, sepse është forca e tyre”,tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, tha se forca po përballet me sfida të ndërhyrjeve nga jashtë.

“Kërcënimi i serbëve të Kosovës, i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, është i papranueshëm. Dua t'ju siguroj që Forca e Sigurisë është organizatë profesionale dhe ne udhëhiqemi nga profesionalizmi dhe jo nga emocionet. Ne po punojmë për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallime”,tha gjeneral Rama.

Gjatë javës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u bëri thirrje publike pjesëtarëve të komunitetit serb që siç tha "të mos marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës, sepse atë ushtri po e formojnë, për asgjë tjetër, por vetëm që ata serbë t’i shfrytëzojnë që një ditë të qëllojnë mbi serbët tjerë”.

Kërcënimet dhe frikësimet ndaj serbëve në Forcën e Sigurisë u dënuan edhe nga e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Kosovë, Colleen Hyland, dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, të cilët thanë se "kërcënimet dhe frikësimet e vazhdueshme të serbëve të Kosovës dhe pakicave të tjera në Forcën e Sigurisë së Kosovës dëmtojnë të gjithë. Forca e Sigurisë është një model për vendin dhe përpjekja e saj për të qenë gjithëpërfshirëse duhet të përgëzohet e jo të dëmtohet".

Beogradi po vazhdon të reagojë me zemërim ndaj planeve për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri, duke theksuar se "formimi i ushtrisë së Kosovës mund të rrezikojë paqen e qëndrueshmërinë dhe mund të çojë në pasoja tragjike".

Por, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se qëllimi i ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë është paqja dhe rruga drejt integrimeve euro-atlantike.

“Do të lëvizim bashkërisht në partneritet, nuk po bëjmë asgjë të jashtëzakonshme përveç asaj e cila është marrëveshje e jona e përbashkët e partneritetit dhe vazhdimësisë. Ne do të jemi me ju, Forca e Sigurisë do të jetë krahë i fuqishëm i juaj”,tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se edhe pas ndryshimit të Forcës së Sigurisë, Kosova do të ketë nevojë për KFOR-in dhe NATO-n.

FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in, sepse KFOR-i është i mirëseardhur në shtetin tonë. Prania e NATO-s në shtetin tonë do të jetë gjithmonë e mirëpritur. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s, duam të punojmë me ju. Me tranzicionin, FSK-ja është e gatshme të shërbejë me ju, me forcat e juaja të armatosura gjithkund në botë”, tha kryeministri Haradinaj.

Më 18 tetor, parlamenti i Kosovës miratoi në parim projektligjet për zgjerimin e përgjegjësive të Forcës së Sigurisë, duke shmangur ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e saj në ushtri të Kosovës, ndryshime që u pamundësuan për shkak të kundërshtimit të Beogradit dhe deputetëve serbë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG