Lidhje

Kosovë, Lista serbe kundër nismës së qeverisë për asociacionin e komunave


Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës nuk pajtohet me nismën e qeverisë për fillimin e hartimit të statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa thekson se ai duhet të themelohet sipas marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Qeveria dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thanë se kanë aktivizuar ekipin që do të hartojë statutin e këtij asociacioni, i cili do të përbehet nga tre mekanizma punues: ekipi menaxhues, komiteti zbatues si dhe grupi kombëtar konsultativ, që sipas qeverisë, do të garantojnë përfshirje të të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë të shoqërisë.

“Në këtë proces do të jenë të përfshirë edhe mekanizma ndërkombëtarë, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat dhe ky do të jetë një hap i rëndësishëm i Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike”, thuhej në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Por, me këtë vendim nuk pajtohet Lista Serbe e cila thotë se “është po sa pesimiste sa qeveria e dhe presidenti i Serbisë (Aleksandër)Vuçiç, se Prishtina nuk ka vullnet të vërtetë për të zbatuar plotësisht këto marrëveshje dhe krijimin e Asociacionit së komunave serbe. Këto aktivitete janë përpjekje për të vepruar si përfaqësues të shqiptarëve për të ulur trysninë ndërkombëtare, pa një dëshirë të sinqertë për të zbatuar konkretisht marrëveshjet e Brukselit”, thuhet në një komunikatë të kësaj liste.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian, mirëpriti mandatimin e ekipit për hartimin e statutit të asociacionit. Në një komunikatë të zonjës Maja Kocijançiç zëdhënëse e shefes për politikë të jashtme te Bashkimit Evropian thuhet se procesi i hartimit të statutit do të përmbyllet brenda katër muajsh dhe se ky hap mundëson zbatimin e marrëveshjes që është detyrim për Kosovën.

Marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumice serbe është pjesë e marrëveshjeve të arritura në prill të vitit 2013 në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Çështja e asociacionit ishte pjesa më e vështirë e bisedimeve për shkak të qëndrimeve të ndryshme të palëve. Autoritetet në Prishtinë thanë se komunat mund të ndihmojnë njëra tjetrën në fushat e shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik e të ngjashme.

Ndërsa Beogradi thotë se “bashkësia e komunave serbe do të ketë kryetarin, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin dhe do të ketë përgjegjësi të gjera. Ajo do të vendosë për shëndetësinë, arsimin, planifikimin urban e rural dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa Serbia ka të drejtë ta financojë atë pa taksa".

Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se pjesë të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, pas një periudhe tensionesh të brendshme politike për shkak të kundërshtimit nga ana e partive opozitare të cilat bllokuan punën e parlamentit duke theksuar se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dëmton shtetin e Kosovës duke krijuar vija ndarëse në baza etnike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG