Lidhje

Daçiç: Me kompromis – Kosova edhe në OKB


Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç tha se mund të bisedohet edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në OKB, por me marrëveshje kompromisi

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot se Serbia është e gatshme të bisedojë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, por për këtë Prishtina duhet të ketë një ofertë për Beogradin.

Të hënën, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se qeveria e tij synon arritjen e një marrëveshje ndërkombëtarisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila do të garantohej nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.



Pas një takimi me partitë politike të Kosovës, kryeministri Thaçi nëpërmjet një komunikate ka theksuar se nuk pret që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovën në fund të këtij procesi, prandaj është e domosdoshme që Kosovës t’i sigurohet anëtarësimi në Kombet e Bashkuara, t’i hapet rruga e sigurt për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, me qëllim që të sigurohet se Serbia nuk do të mund të bëhet pengesë për Kosovën.

Kryeministri serb tha sot se Beogradi është i gatshëm të bisedojë edhe për këtë çështje dhe të dyja palët mund të merren vesh për çfarëdo qoftë.

Kjo nuk është e diskutueshme dhe nuk po i shmangemi kësaj, sepse ne kërkojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Por që ai të fitojë këtë duhet të japë diçka. Çfarë mendojnë ata, që ne të japim çdo gjë që duan? Nëse është kompromis atëherë duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët”, tha kryeministri serb.

Të dielën, autoritetet serbe publikuan tekstin e platformës për bisedimet me Kosovën nëpërmjet së cilës kërkohet autonomi territoriale për katër komunat veriore të Kosovës dhe komunat tjera me shumicë serbe. Publikimi i tekstit të platformës pasoi miratimin e një Rezolute nga Parlamenti serb me të cilën përcaktohet qasja e Beogradit ndaj bisedimeve me Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi të papranueshëm propozimin e Serbisë dhe hodhi poshtë çdo mundësi të bisedimeve me Beogradin për statusin e Kosovës, tërësinë tokësore apo organizimin e brendshëm të saj. Ai tha se dokumentet serbe nuk do të shtrohen ne tryezën e bisedimeve.

Kryeministri serb tha ndërkaq se nuk është kryeministri Thaçi ai i cili vendosë se për çfarë do të bisedohet në takimin e radhës, që ndërmjetësohet nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Temat që i ka paralajmëruar Catherine Ashton në takimin e kaluar janë paralelizmat institucional dhe veçantia e serbëve. Kur them veçantinë e serbëve, mendoj se për të gjithë është e qartë se kjo nënkupton gjetjen e një zgjidhjeje, e cila nisur edhe nga deklaratat e mëhershme të zyrtarëve evropian nënkupton një rajon të posaçëm”, tha kryeministri serb.

Kryeministri Thaçi ndërkaq, ka theksuar se në takimin e radhës, do të diskutohet për “zhbërjen e strukturave ta paligjshme të sigurisë së Serbisë dhe transparencën e e ndihmave financiare të Serbisë për komunitetin serb në Kosovë”.

Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme që “të mundësojë zbatimin e elementeve të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari për vetë-qeverisje në nivelin lokal të komunave me shumicë serbe në veri të vendit. Këto elemente ndër të tjera mundësojnë edhe krijimin e partneritetit ndërmjet komunave, duke iu mundësuar atyre që të kenë vendim-marrjen në nivelin lokal, në kuvendet komunale”.

Por, sipas kryeministri Thaçi, kjo është e gjitha që do t'iu ofrohet serbëve në veri të vendit, dhe asgjë më shumë, duke hedhur poshtë çdo ide për status të veçantë të komunave me shumicë serbe.

Kryeministrat e të dyja vendeve, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, pritet të takohen të enjten më 17 janar në Bruksel. për të vazhduar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Përparimi në këto bisedime është kushti themelor për rrugëtimin e të dyja vendeve drejt Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG