Lidhje

EFJ kërkon ndriçimin e rasteve të vrasjes dhe zhdukjes së gazetarëve në Kosovë


Federata Evropiane e Gazetarëve miratoi të enjten në takimin vjetor në Lisbonë, një rezolutë me të cilën bën thirrje për hetimin e vrasjes dhe zhdukjes së gazetarëve në Kosovë dhe që çështja e tyre të trajtohet edhe nga Gjykata e Posaçme për krime lufte.

Rezoluta që është përkrahur nga të gjitha asociacionet, përfshirë edhe të Kosovës e Serbisë, synon ngritjen e vetëdijesimit tek organet përgjegjëse në Kosovë që zbardhja e fatit të gazetarëve të jetë përparësi e punës.

Në një bisedë për Zërin e Amerikës, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Petrit Çollaku, tha se me këtë rezolutë kërkohet që të fillohen hetime të vazhdueshme dhe që të ketë një përfundim në mënyrë që autorët e krimeve të dalin para drejtësisë dhe familjarët e gazetarëve të gjejnë një qetësi shpirtërore dhe të ndjehen që është vendosur drejtësia në vend.

“Janë disa pika aty që bashkërisht me disa asociacione tjera kemi kërkuar që këto raste të mos mbesin në harresë dhe Prokuroria në Prishtinë të jetë më efikase dhe shpresojmë që do të vihen para drejtësisë autorët e këtyre krimeve”, tha ai.

Në rezolutë kërkohet që edhe Gjykata e Posaçme për krime lufte në Kosovë të shqyrtojë rastet e gazetarëve të vrarë e të zhdukur.

“Një pikë e tillë është shtuar aty por jo të gjitha rastet mund të jenë pjesë e mandatit të Gjykatës së Posaçme sepse e dimë që kjo gjykatë trajton rastet deri më 31 dhjetor të vitit 2000. Por, për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës më e rëndësishme është që krimet kanë ndodhur këtu dhe është Prokuroria e Kosovës është ajo që duhet të ketë udhëheqjen në këto hetime”, tha zoti Çollaku.

Ai thotë se bashkëpunimi me kolegët serbë është duke shkuar mirë ndërsa vë në pah edhe bashkëpunimin e dy prokurorive të Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e këtyre rasteve.

“Fokusi më i madh duhet të jetë tek Prokuroria e Kosovës por nuk ka asgjë të keqe nëse edhe Prokuroria e Serbisë bashkëpunon me atë të Kosovës për të ndriçuar këto raste. Të shohim sa janë të gatshëm, se çfarë informatash kanë dhe a kanë diçka që mund të kontribuojë në zbardhjen e këtyre rasteve”, tha zoti Çollaku.

Organizatat e gazetarëve thonë se janë 14 gazetarë të vrarë e të zhdukur që nga viti 1998 kur ka filluar lufta në Kosovë e deri në vitin 2005. Në mesin e këtyre gazetarëve të vrarë janë shtatë gazetarë shqiptarë dhe shtatë gazetarë serb.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG