Lidhje

Dështon zbatimi i marrëveshjes për gjykatat në veriun e Kosovës


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzoi të martën Beogradin për pengimin e dekretimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që do të vepronin në gjykatat e veriut të Kosovës, ndërsa Bashkimin Evropian për "dështim dhe paaftësi" si ndërmjetësues në procesin e zbatimit të marrëveshjes për sistemin e drejtësisë.

Komentet e tij pasuan dështimin e planit që të martën dyzet e dy gjyqtarë dhe katërmbëdhjetë prokurorë të betohen dhe të dekretohen për të punuar në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës.

Kosovë, shtyhet zbatimi i marrëveshjes për gjykatat në veri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

Më 31 gusht në takimin ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç të ndërmjetësuar nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ishte vendosur që 17 tetori të shënojë hyrjen në fuqi të marrëveshjes për drejtësinë në veri. Marrëveshja ishte arritur më 10 shkurt të vitit 2015 dhe ajo parashihte shuarjen e gjykatave dhe prokurorive të kontrolluara nga Beogradi dhe integrimin e gjykatësve dhe prokurorëve ne sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim.

"Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi. Njëkohësisht, veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë sot për dekretim tek Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi", thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit, në të cilin theksohet se "pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes, prandaj ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre. Republika e Kosovës ka përmbushur obligimet e saj në çdo aspekt".

Në Beograd, shefi i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç, tha se deri të premten do të përmbyllet ky proces. "Kjo është hera e parë që nga viti 1999 që do të kemi gjykatë me shumicë serbe dhe me kryetar serb në Mitrovicë dhe prokurori me shumicë serbe. Pres që kjo punë e madhe dhe e rëndësishme për popullin tonë në Kosovë të përmbyllet deri të premten", tha ai, pa shpjeguar arsyet e dështimit të sotëm.

Të hënën, zyrtarët e Bashkimit Evropian u shprehën të bindur se gjithçka ishte e gatshme për zbatimin e marrëveshjes. Të martën, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, shprehu keqardhjen që zbatimi i marrëveshjes u shty "me kërkesën e Beogradit", ndërsa bëri thirrje që ajo të përmbyllet sa më shpejtë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Këto bisedime, në kuadër të të cilave ishte edhe marrëveshja pë drejtësinë, i siguruan asaj hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG