Lidhje

Shqetësime dhe thirrje për shmangie tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë


Nga një takim i përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe
Nga një takim i përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të premten se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe e qëndrueshme, por ka kërkuar shtimin e shkallës së gatishmërisë së institucioneve të rendit.

Ai i bëri këto komente pas takimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë në të cilin siç tha u diskutua gjendja e rendit dhe ligjit nën dritën e retorikës politike të kohëve të fundit dhe afatit për dorëzimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai tha se Kosova është duke kryer detyrimet e saj dhe askush nuk ka të dejtë të ndërmarrë ndonjë veprim të njëanshëm.

Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Ne qëndrojmë brenda obligimeve, nuk kemi dal nga obligimet qofshin në dialog, pra nga obligimet në Bruksel, por as nga Kushtetuta dhe ligjet tona. Kështu që, ne kur e marrim transkriptin japim kontributin tonë, por edhe duhet të sigurohemi që është brenda ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Me këtë po dua të them se Kosova si palë është serioze, është brenda obligimeve ndërkombëtare dhe vendore. Për këtë, nuk ka askush të drejtë, askush nuk e ka të drejtën të ndërmarrë veprime të njëanshme, askush. Pse? Sepse asnjë thyerje, asnjë dalje nga obligimet nuk ka bërë Kosova”, tha kryeministri Haradinaj, duke nënvizuar që nëse dikush do të merrte ndonjë veprim të njëanshëm, atëherë ai veprim është jashtë ligjeve të Kosovës, edhe jashtë marrëveshjeve ndërkombëtare dhe do ta merrte përgjigjen e organeve të rendit dhe të ligjit.

Afrimi i afatit për dorëzimin e statutit të asociacionit është përcjellë me pohime se serbët e veriut të Kosovës mund të ndërmarrin veprime për shpalljen e njëanshme të autonomisë së tyre.

Përfaqësues të kishës ortodokse serbe në Kosovë thanë se mund të ketë një marrëveshje të fshehtë për të nxitur trazira të dhunshme në veriun e Kosovës dhe kjo të shfrytëzohej pastaj, për siç thuhet, krijimin e vijave ndarëse në baza etnike si një akt i kryer.

Të premten, përfaqësuesi i Manastirit të Deçanit, në Kosovën perëndimore, Sava Janjiç, shkroi sërish në rrjetin social twitter disa herë, se mund të ketë një skenar për ndarjen e Kosovës.

"Qoftë përmes shpalljes së 'autonomisë', qoftë përmes marrjes së kontrollit mbi liqenin e Gazivodës, të dy lojtarët e mëdhenj duan të shkëpusin një llokmë të madhe të territorit pavarësisht njerëzve që do të vuajnë pasojat".

Më pas ai i hoqi nga rrjeti twitter postimet e tij, që u pasuan ndërkaq nga një thirrje e Peshkopit të Kishës Ortodokse serbe në Kosovë, Teodosije, që të shmangen incidentet që mund të kenë pasoja të paparashikueshme.

Bashkimi Evropian kërkon shmangien e incidenteve

Zyrtarët në Bruksel thanë sot se sapo të marrin statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, do ta shtrojnë atë në takimin e radhës të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ne e kuptojmë se puna (për projekt statutin) është duke vazhduar. Në të njëjtën kohë Bashkimi Evropian vazhdon të punojë më të dyja palët për të siguruar implementim e kësaj marrëveshje dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në një komunikatë të zyrës së shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

"Në një kohë kur të dyja palët janë plotësisht të angazhuara me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian Federica Moghrini për gjetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, Bashkimi Evropian, pret që ashtu siç kanë rënë dakord palët në takimin e fundit më 18 Korrik në Bruksel, nuk do të ketë tensione të terren që do të rrezikonin synimin e përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve", thuhet në komunikatë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, në një postim në twitter u shpreh i kënaqur me "komunikatën e Bashkimit Evropian se statusi i asociacionit do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel. Mendoj se kjo duhet të na ndihmojë të jemi të qetë dhe të shijojmë një fundjave të këndshme", shkroi ai.

Presidenti serb - letër të hapur serbëve të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka caktuar për të shtunën në mëngjes mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar gjendjen në Kosovë. Të premten ai u drejtoi një letër të hapur qytetarëve serbë në Kosovë, në të cilën bën thirrje që të mos bien pre e, siç thuhet, provokimeve dhe të mos ndërmarrin asgjë, që sipas tij, do të mund të shfrytëzohej për çfarëdo aksioni ndaj tyre.

Në letër ai thekson se "për aq kohë sa do të jetë në të Serbisë, nuk do të lejojë dhunë të organizuar mbi serbët dhe vendet e tyre shenjta e as përndjekjen e tyre.

Duke theksuar se nuk pret që Prishtina të lëvizë as gishtin për të formuar asociacionin e komunave me shumicë serbe", ai u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos ndërmarrin asgjë, ngase sipas tij, "këtë do të mund ta shfrytëzonin disa shqiptarë ose një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare si pretekst për të ndërmarrë çfarëdo aksioni ndaj tyre"."Pikërisht për këtë, këto ditë në krahinën tonë jugore, por një pjesë të vogël të komunitetit ndërkombëtarë, zëshëm dëgjohet dhe shihet veprimtaria e atyre që, në vend të përmbushjes së detyrimeve ndaj Serbisë dhe serbëve, e shfrytëzojnë këtë periudhë që në mesin e serbëve të Kosovës me kërcënime të përditshme, me thashetheme, me dëshirën që të shkaktojnë panik, të nxisin shqetësime e frikë për të nxitur mosbesim ndaj institucioneve shtetërore të Serbisë dhe ndarjeve në mesin e përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë dhe dobësimit të përgjithshëm të pozitës sonë në këtë periudhë të ndejshme të bisedimeve", shkruan mes tjerash ai.

Aleksandër Vuçiç
Aleksandër Vuçiç

​Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës, por të dyja palët janë përfshirë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve, që është kusht për integrimin në Bashkimin Evropian. Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për normalizimin e marrëdhënieve. Por, është e paqartë se si do të duket ajo marrëveshje dhe palët kanë hedhur idetë për ndarjen tokësore të Kosovës apo shkëmbimin e territoreve, veriun e Kosovës - Serbisë në shkëmbim për luginën e Preshevës.

Asnjëherë deri tash këto çështje nuk janë shtruar zyrtarisht në tryezën e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtarë deri vonë ishte i prerë në qëndrimet se nuk mund të ketë ndryshim kufijsh për shkak të efektit "domino" në rajonin që kishte përjetuar luftëra të përgjakshme në fund të shekullit të kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG