Lidhje

Thaçi e Daçiç në Këshillin e Sigurimit


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi e Ivica Daçiç me pikëpamje të ndryshme rreth ecurisë së zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi e Ivica Daçiç thanë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se janë të përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes së arritur ndërmjet tyre për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Por, ata shprehën pikëpamje të ndryshme mbi ecurinë e zgjedhjeve komunale në Kosovë, në të cilat për herë të parë u përfshinë edhe komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Debati në Këshillin e Sigurimit u mbështet në raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon, në të cilin u theksua rëndësia e suksesit të zgjedhjeve për pushtetin komunal, posacërihst në veriun e Kosovës dhe ndikimit që do të kenë ato në forcimin e paqes e qëndrueshmërisë në Kosovë.

Zyrtarët serbë u pajtuan me përfshirjen e komunave veriore në zgjedhjet e organizuara nga autoritetet e Kosovës, pavarësinë e së cilës nuk e njohin, në këmbim të përshpejtimit të proceseve integruese evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke e cilësuar historike marrëveshjen me Serbinë, vuri theksin në rëndësinë që kanë zgjedhjet komunale për Kosovën dhe procesin e integrimit të komunitetit serb.

Ky moment ka vulosur dhe mbyllur të gjitha tendencat eventuale për ndarje territoriale të Kosovës, apo federalizim të saj mbi baza etnike. Kështu, këto zgjedhje janë një fitore e qytetarëve, e të gjitha subjekteve politike dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Kemi dhënë shembullin më të mirë se Kosova është vend demokratik dhe se procesi zgjedhor është mbajtur në frymën dhe kulturën politike të lartë. Kam bindjen që ky sukses do të përsëritet edhe më 1 Dhjetor për 24 komuna të cilat do të organizohet balotazhi për zgjedhjen e kryetarëve të komunave”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa, kryeministri serb Ivica Daçiç kritikoi Prishtinën për qasjen e saj ndaj zgjedhjeve komunale në veriun e Kosovës.

Derisa Serbia u angazhua shumë që të nxisë serbët që të marrin pejsë në numër sa më të madh ne zgjedhje, institucionet e Prishtinës nuk janë përpjekur që të sigurojnë një mjedis të përshtatshëm”, tha ai, duke nënvizuar se bashkësia e komunave serbe nuk do të krijohet duke ju falënderuar përpjekjeve të Prishtinës, por përkundër saj.

Krijimi i bashkësisë së komunave serbe është pjesë e marrëveshjes së arritur në prill të këtij vitit ndërmjet të dyja vendeve. Por, kryeministrat Daçiç dhe Thaçi kanë pikëpamje të ndryshme mbi përgjegjësitë e kësaj bashkësie.

Sipas marrëveshjes, bashkësia do të ketë përgjegjësi në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe planifikimit si dhe do të ketë Kuvendin, Kryetarin dhe organin ekzekutiv” tha kryeministri serb.

Megjithatë, asociacioni që do të themelohet në përputhje me ligjet e Kosovës dhe sipas modelit të njëjtë të Asociacionit të Komunave të Kosovës, nuk do të ketë rol ekzekutiv, e as ligjvënës. Pra, nuk mund të jetë zëvendësim për kuvendet komunale dhe përgjegjësitë e komunave nuk mund të barten tek ky asociacion. Askush nuk mund të zëvendësojë apo relativizojë fuqinë e drejtpërdrejtë të votës së lirë të qytetarëve të Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Këshilli i Sigurimit u ka bërë thirrje të dyja palëve që të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Po ashtu është kërkuar ndriçimi dhe vënia para drejtësisë e autorëve të vrasjes së një oficeri doganor të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e ligjit në muajin shtator në veriun e Kosovës.
XS
SM
MD
LG