Lidhje

Bombë në veriun e Kosovës, në prag të vizitës së kryeministrit serb


Policia e Kosovës tha se një bombë dore është hedhur në një sallë sportesh në veriun e banuar me shumicë serbe, pak orë para fillimit të vizitës në atë zonë të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Shpërthimi që kaloi pa dëme në njerëz, ka ndodhur në komunën e Zubin Potokut, rreth 60 kilometra në veri të Prishtinës, ndërsa pas vetes ka lënë dëme materiale në një makinë.

Policia tha se është duke hetuar incidentin dhe tash për tash nuk ka më shumë informacione rreth autorëve apo motiveve të mundshme të tij.

Kryeministri serb, po qëndron të dielën në veriun e Kosovës, në kuadër të fushatës së tij për zgjedhjet parlamentare serbe që mbahen më 24 prill.

Kosova shpalli pavarësinë e saj të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian në shkurt të vitit 2008, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Serbët e Kosovës marrin pjesë në votimet për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës. Duket se edhe kësaj radhe, sikurse edhe në të kaluarën, votimet do të mbahen nën përkujdesjen e Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë e cila do të drejtojë operacionin e quajtur "grumbullimi i votave".

Kryeministri serb tha të dielën se vetëm një Serbi e fortë mund të mbrojë interesat e Serbisë dhe të popullit të saj në Kosovë, dhe "këtë porosi" tha ai "ua drejton atyre që me bombë dhe me rafalë provuan ta frikësojnë".

"Ai që nuk është i fuqishëm në botë, ai që nuk ka miq të mjaftueshëm në botë, në asnjë mënyrë nuk mund të mbrojë popullin serb në Kosovë. Prandaj na duhet një Serbi e fortë dhe e bashkuar e jo e ndarë e në grindje. Prandaj është me rëndësi të kemi ndikim në Bruksel, në Berlin, në Moskë dhe në çdo vend tjetër", tha kryeministri serb, Partia Përparimtare serbe e të cilit, ndjehet e sfiduar nga forcat e djathta në Serbi.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG