Lidhje

Serbia thotë se ka dëshmitar për trafikim organesh


Vladimir Vukçeviç
Vladimir Vukçeviç
Autoritetet serbe të drejtësisë thanë se kanë dëshmitarë lidhur me pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trafikimin e organeve njerëzore në fund të viteve të 90-ta.

Prishtina i cilëson këto si përpjekje për të zbehur kremtimet me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë.

Prokurori i Serbisë për krime të luftës, Vladimir Vukçeviç, tha të dielën se prokuroria e tij ka “një dëshmitar, që ka rrëfyer për procedurën mjekësore të kryer në pjesën veriore të Shqipërisë, që kishte të bënte me marrjen e organeve të serbëve të rrëmbyer gjatë konfliktit të viteve 1998-99 në Kosovë”.

Ai i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se dëshmitari “e ka përshkruar operacionin e zemrës së një të burgosuri serb në afërsi të Kukësit, në fund të viteve të 90-ta dhe transportimin e saj në aeroportin e Tiranës, për ta shitur në tregun e zi”.

Sipas tij, dëshmitari, pjesëtar i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po mbahet nën mbrojtje, por nuk janë dhënë hollësi të tjera.

Ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ndërkaq ka theksuar se pretendimet e tilla janë përpjekje për të lënë nën hije kremtimet e sotme në Kosovë me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë. “Koha e zgjedhur për publikimin e një informacioni të tillë është e zakonshme për një vend që funksionon me rregullat e “luftës së ftohtë”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.

Në gusht të vitit 2011 Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në Kosovë, bëri të ditur se prokurori amerikan John Clint Williamson, do të drejtojë punën e grupit hetues të EULEX-it për hetimin e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë

Në dhjetor të vitit 2010 senatori zviceran Dick Marty, ngriti pretendimet për siç thuhet, përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe kryeministri Hashim Thaçi, në trafikimin e organeve të personave që, siç thuhet ishin rrëmbyer nga forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pretendimet e ngritura në një raport të tij raport, nxitën reagime të zemëruara në Prishtinë, ku autoritetet hodhën poshtë pohimet e tilla ndërsa u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për hetimin e të gjitha pretendimeve.

Pohimet e tilla për herë të parë u ngritën nga ish kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte në librin e saj “Gjuetia”, të botuar në vitin 2008. Pas kësaj një numër organizatash ndërkombëtare kërkuan hetime, ndërsa Këshilli i Evropës caktoi zotin Dick Marty të merret me këtë çështje.
XS
SM
MD
LG