Lidhje

Serbia miratoi platformën për bisedimet me Kosovën


Platforma serbe propozon mënyrat e organizimit të qeverisjes në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë dhe parasheh autonomi për veriun e saj.

Autoritetet serbe miratuan sot dy dokumente lidhur me bisedimet me Kosovën dhe synimet për sigurimin e një shkalle të lartë të autonomisë për pjesën veriore të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Serbisë, në të cilën mori pjesë edhe presidenti serb, Tomislav Nikoliç, është miratuar platforma për bisedimet dhe një rezolutë që do të hidhet për diskutim në Parlamentin serb të shtunën. Rezoluta që buron nga platforma e paraqitur nga presidenti serb, përfshinë qëndrimin se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, që të vazhdojnë bisedimet me Prishtinën dhe që çdo përparim në to të shoqërohet me përparimin e Serbisë në rrugën e integrimit evropian, të zgjidhet statusi i veriut të Kosovës, si dhe garanci të veçanta për të drejtat individuale dhe kolektive të serbëve në pjesën tjetër të Kosovës.



Presidenti serb tha se Serbia në seancën e qeverisë, ka dëshmuar se mund të jetë e njëzëshme për një dokument me gjithë kufizimet që i ka secili kur është fjala për Kosovën.

Ajo që po bëjmë sot është më e pakta që kemi mundur të bëjmë para disa vjetësh dhe më e shumta që do të mund të arrinim për disa vjet”, tha presidenti serb duke nënvizuar se ai nuk e sheh Kosovën si shtet të pavarur dhe se me dokumentet e miratuara sot do të sigurohet që interesat kombëtare serbe të mos dëmtohen gjatë procesit të bisedimeve më zyrtarët e Kosovës.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se vendimet e sotme janë marrë njëzëri dhe përveç qëndrimit se Beogradi nuk do të njohë Kosovën, platforma përfshinë edhe propozimet për organizimin e jetës dhe qeverisjes në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Ai tha se në Kosovë nevojiten institucione serbe që njihen edhe nga Beogradi edhe nga Prishtina.

Presidenti i Republikës ka propozuar platformën për bisedime politike me përfaqësuesit e Prishtinës, e cila nuk do të dalë në publik, pasi që nuk është e zakonshme që me platformën dhe me taktikat tona të njihen ata me të cilët duhet të bisedojmë”, tha kryeministri serb.

Dokumenti, pjesë të të cilit qenë publikuar ditë më parë nga mediat serbe, nxiti reagime të diplomatëve ndërkombëtarë dhe zyrtarëve të Prishtinës, të cilët hodhën poshtë atë dokument që përfshinë propozimin për ndarjen e Kosovës në vija etnike.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha sot se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, nënkupton edhe mosndërhyrjen në punë të brendshme siç është situata në veriun e Kosovës.

Serbia për vite të tëra, në veçanti në 13 vitet e fundit ka ndërhyrë në atë pjesë. Ka ndërhyrë me financimin dhe strukturimin e strukturave ilegale, me fuqizimin, po e quaj, të strukturave kriminale që në emër të një patriotizmi të rrejshëm janë marrë me veprime të tjera. Normalizimi nuk mund të parashihet nëse nuk kemi parasysh atë që të mos ndërhyjmë ndaj njëri tjetrit. Bisedat do të jenë se si Serbia t’i heq ato struktura dhe po ashtu se si të mos i financojë ato struktura, të mos i mbështesë dhe të mos krijojë iluzion tek qytetarët serbë atje që do të ketë ndryshime”, tha zv.kryeministri Kuci.

Platforma serbe u hodh poshtë edhe nga zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu i cili tha se ajo është një për konsum të brendshëm të Serbisë dhe asnjëherë nuk do të paraqitet në bisedimet ndërmjet dy vendeve. “Për çështjet e brendshme të
Republikës së Kosovës nuk do të bisedohet asnjëherë me askënd, e aq më pak me Republikën e Serbisë. Të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë janë të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. I është bërë thirrje Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç që në ditën e zgjedhjes së tij, që të bëjë atë që nuk e kanë bërë paraardhësit e tij; ta pranoj realitetin e krijuar, ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe të punojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura, që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian
”, thuhet në reagimin e zotit Vllahiu.

Ndërkaq, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha gjatë një interviste me Zërin e Amerikës, se planet e reja serbe dëshmojnë vazhdimësinë e qasjes së Serbisë ndaj Kosovës.

Serbia nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj “autonomi brenda autonomisë”. Pra, në kuadër të autonomisë së Kosovës, siç e parasheh kushtetuta e saj, ata e duan autonominë e serbëve e cila nuk kufizohet vetëm në veriun e Kosovës. Dhe, një plan të këtillë do ta kishte nënshkruar menjëherë (Slobodan) Millosheviçi. Kjo u vërtetua që kemi të bëjmë pra me pasaardhësit e e drejtëpërdrejtë politik të Millosheviçit dhe (Vojislav) Sheshelit, në formën e (Ivica) Daçiçit dhe (Tomislav) Nikoliçit që e kanë edhe qëllimin edhe qëndrimin e njëjtë antishqiptar”, tha zoti Kurti.

Kryeministrat e të dyja vendeve, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç pritet të takohen më 17 janar në Bruksel për të vazhduar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Përparimi në këto bisedime është kushti themelor për rrugëtimin e të dyja vendeve drejt Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG