Lidhje

Kosovë: arrestohet dhe dëbohet zyrtari serb Marko Gjuriç


Njësitë e policisë së Kosovës ndërhynë në veri për të shpërndarë një tubim në të cilin po merrnin pjesë zyrtarë serbë që kishin hyrë në Mitrovicë me gjithë ndalesën nga autoritetet e Prishtinës.

Policia arrestoi dhe e dërgoi në Prishtinë shefin e zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili bashkë me sekretarin e përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç, hynë në Mitrovicë jashtë rrugëve të ligjshme.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë të tubuarit.

Autoritetet në Prishtinë kishin refuzuar t'u japin leje zyrtarëve të qeverisë së Serbisë për të qëndruar të hënën në Kosovë.

Policia e Kosovës dërgoi forca shtesë në veri për të penguar përpjekjet për të hyrë në Kosovë të disa zyrtarëve serbë, përfshirë ministrin e serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin.

Autoritetet thanë se në të kaluarën ata nuk u janë përmbajtur udhëzimeve për të shmangur përdorimin e deklaratave nxitëse dhe gjuhën ëe urrejtjes.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç dhe sekretari i përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç, planifikonin që të merrnin pjesë në një debat me qytetarët në veri të Kosovës, rreth dialogut të brendshëm serb për Kosovën, të cilin e ka hapur vitin e kaluar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në mbrëmje, Marko Gjuriç, u dëbua nga Kosova për në Serbi

Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

Thaçi: Rasti i Gjuriçit nuk duhet të cenojë komunikimin me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri thirrje për qetësi, ndërsa vlerësoi se policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe përgjegjësitë e saj.

“Marko Gjuriç ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se është njoftuar nga organet përgjegjëse dhe Marko Gjuriç ka kaluar nëpër procedurën e rregullt të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, si dhe tani është duke u përcjellë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagimin e presidentit Thaçi.

Lista serbe paralajmëron largimin nga qeveria e Kosovës

Përfaqësuesit e Listës serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, miratuan të hënën në mbrëmje "nismën për largimin nga qeveria e Kosovës".

Në njoftimin e kësaj liste thuhet se "kjo është një ditë e rëndë për serbët në Kosovë në të cilën është parë më së miri fytyra e institucioneve të Kosovës. Në mënyrë brutale, me plumba në tytë, me shok-bomba dhe me goditje brutale mbi gratë dhe burrat janë sulmuar dhe rrahur përfaqësuesit e ligjshëm të popullit serb, ministra, drejtorë të zyrave, deputetë dhe kryetarë komunash".

Sipas kësaj liste dialogu në këso rrethanash, nuk ka kurrfarë kuptimi.

Presidenti serb mblodhi Këshillin e Sigurisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të hënën në mbrëmje se arrestimi i zyrtarit serb Gjuriç, ishte veprim i mbështetur edhe nga perëndimi ndërsa i cilësoi si "bandë terroriste" njësitë e policisë së Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas takimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, të cilin e mblodhi në takim urgjent në Beograd, pas ngjarjeve në Mitrovicë. Presidenti serb mohoi pohimet e Prishtinës se zyrtari i tij qëndroi pa leje në Kosovë.

Ai tha se vetëm për vizitën e presidentit serb Prishtina njoftohet 72 orë më herët, kurse për nivelet më të ulëta politike, ai tha se mjafton një njoftim 24 orësh.

Presidenti serb që ju referua policisë së Kosovë si "bandë me uniforma", tha se thelbi i ndërhyrjes ishte që të "tregojnë se mund ta marrin veriun". Ai tha se policia e Kosovë kishte edhe mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Ai tha në këto rrethana është e vështirë të flitet për bisedimet në Bruksel, por vendimet duhet të merren me kokë të ftohtë.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për qetësi

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se ka biseduar me presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë për zhvillimet në Mitrovicë. "Më vjen keq për atë çfarë ka ndodhur sot në Kosovë. Nevojitet qetësi dhe ruajtje e dialogut" shkroi ajo në rrjetet sociale.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie u shpreh "shumë i shqetësuar me zhvillimet e sotme në Mitrovicë. Nuk ka alternativë për dialogun", shkroi ai.

Ndërsa ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, shkroi se "ngjarjet e sotme në Mitrovicë paraqesin një hap të madh prapa. Shpresoj që gjakftohtësia do të mbizotërojë dhe duke ndihmuar qetësimin e situatës. Nuk ka alternativë për dialogun dhe bashkëjetesën paqësore në Ballkan", shkroi ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG