Lidhje

Miratohet në parim ligji mbi delegacionin e Kosovës për bisedimet me Serbinë


Kosovo/Assembly

Me 61 vota për, parlamenti i Kosovës miratoi në parim projektligjin që lidhet me detyrat dhe përgjegjësitë e delegacionit shtetëror të Kosovës në procesin e bisedimeve me Serbinë.

Projektligji nuk u votua nga dy partitë me të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje, të cilat kundërshtuan ashpër projektligjin.

Sipas përfaqësuesve të delegacionit shtetëror për bisedime, “fjala kryesore e ligjit do të jetë kushtetuta e Kosovës dhe mbrojtja e interesave strategjike të Kosovës. Projektligji i jep një mandat et të qartë delegacionit, e mbikëqyr dhe rregullon llogaridhënien politike para parlamentit të Kosovës dhe qytetarëve. Po ashtu, projektligji synon të rregullon përbërjen e barabartë të të gjitha subjekteve politike në parlament të atyre në koalicionin qeveritar dhe atyre në opozitë se si të përfaqësohen në delegacionin e Kosovës ndërsa rregullon hierarkinë dhe vendimmarrjen në procesin e bisedimeve. Projektligji rregullon edhe atë se çfarë mund dhe nuk mund të negociohet, cilat janë vijat e kuqe në këtë proces, funksionimin e delegacionit shtetëror, strukturën dhe përgjegjësitë e tij sikurse edhe bashkërendimin në mes të delegacionit shtetëror të Kosovës dhe institucioneve tjera të vendit”.

Enver Hoxhaj i cili është pjesë e ekipit shtetëror për bisedime me Serbinë tha se përmes këtij ligji, parlamenti bëhet pikënisja e bisedimeve.

“Ka pasur një debat përgjatë vitit 2018 rreth dialogut, ka pasur dallime në qasjen tonë në dialog, ka pasur një kërkesë të vazhdueshme që parlamenti i Kosovës duhet të jetë ai që duhet të vendosë se si do të duket dialogu dhe si do të forcohet dialogu dhe ne mendojmë që me këtë projektligj janë dhënë të gjitha parametrat e duhura që çështja e përfaqësimit në dialog të rregullohet në mënyrë të mirëfilltë”,tha zoti Hoxhaj.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani tha se përmes këtij projektligji, presidenti i vendit po legalizon planet e tij për siç tha, copëtimin e vendit.

“Hap rrugë që negociatat për territor të vazhdojnë duke mos lënë asnjë vijë të kuqe për asnjë temë. Ky ligj lejon negocimin edhe të shkëmbimit, asociacionit të komunave serbe, etj. Ky ligj ka një kusht, që kur (presidenti) Thaçi të shkojë në Bruksel t’i marrë edhe disa me vete, por disa të tjerë që nuk do lejojnë copëtim por që e legjitimojnë atë. Pyetja ime është me kënd do të negociojë ky ekip derisa e përligj rolin e presidentit nëpërmjet këtij ligji dhe garanton që mund të vazhdojë negociatat për vendin. Me kënd do të negociojë, që në ligj thuhet 11 anëtarë por në fakt ka 12 anëtarë. A është presidenti anëtari i 12 që nuk është përmend?”,tha zonja Osmani.

Edhe kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kritikoi mënyrën e formimit të delegacionit shtetëror për bisedime dhe qasjen ndaj bisedimeve me Serbinë. Ai tha se edhe ky delegacion edhe projektligji duhet të trajtohen si të pavlefshëm dhe të nisë çdo gjë nga fillimi.

“Kur flet për delegacionin shtetëror ky projektligj flet për delegacionin në bashkërendim me institucionet e tjera si presidenti. Pozicioni tjetër që përgënjeshtrohet me këtë projektligj është vendimmarrja. Delegacioni shtetëror i ka marr 59 vota jo 61 pra nuk e kanë as shumicën e thjeshtë. Pozicioni i tretë është që opozita është përcaktuese në vendimmarrje, është e pavërtetë, sepse opozita ka katër anëtarë, në këtë rast katër votat e opozitës nuk kanë asnjë mundësi. Nuk mund të quhet delegacion shtetëror realisht është delegacion qeveritar”, tha zoti Kurti.

Tash për tash bisedimet mbetet të pezulluara, pasi që Beogradi po kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifës së vendosur në nëntor të vitit të kaluar nga qeveria e Kosovës ndaj mallrave nga Serbia.

Tarifat dhe procesi i bisedimeve për një marrëveshje normalizimi me Serbinë, kanë ngjallur mospajtime brenda koalicionit qeverisës dhe udhëheqësve të institucioneve. Dallimet dolën në pah pasi që Shtetet e Bashkuara kërkuan me forcë pezullimin e tarifave si veprim për të rimëkëmbur procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Thirrje për heqjen e tarifave bëri sërish shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini në një bisedë telefonike me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Zonja Mogherini ka thënë se tarifat duhet të hiqen që bisedimet të vazhdojnë dhe nuk duhet humbur kohë. Sipas saj normalizimi i marrëdhënieve është i domosdoshëm për Kosovën, Serbinë dhe Ballkanin perëndimor.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ngulë këmbë që tarifat të mbeten deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ndërsa presidenti Hashim Thaçi kërkon që të dëgjohen aleatët që kërkojnë heqjen e saj. Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli ka propozuar një pezullim 120 ditësh të saj.

Tash për tash nuk ka ndonjë shenjë se kur mund të vazhdojnë bisedimet për shkak të tensioneve ndërmjet të dyja palëve, por edhe zhvillimeve të brendshme në Kosovë e në Serbi, që mund t'i çojnë të dyja vendet në procese zgjedhore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG