Lidhje

Autoritetet nuk lejuan ekipin e futbollit nga Beogradi të luajë në Kosovë


Autoritetet në Kosovë i ndaluan hyrjen në territorin e vendit klubit të futbollit nga Beogradi, “Cërvena Zvezva” (Ylli i Kuq) për të luajtur një ndeshje futbolli me një ekip lokal serb në veriun e Kosovës me emrin Trepça.

Për pak kohë pati tensione në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë, ku policia ndaloi edhe hyrjen e tifozëve nga Serbia.

Ndeshja e futbollit e planifikuar për të mërkurën pasdite, do të zhvillohej për pikë të vlefshme në kuadër të Kupës së Serbisë dhe Federata e Futbollit të Kosovës vlerësoi se zhvillimi i ndeshjeve të klubeve të Serbisë në territorin e Kosovës, është provokim dhe shkelje e statutit të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA).

Futbollistët e ekipit “Crvena Zvezda” u kthyen prapa dhe thanë se loja do të zhvillohet diku në Serbi.

Ndalimi nxiti reagimin e zemëruar të zyrtarëve serbë. Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se "moslejimi i zhvillimit të takimit ndërmjet klubeve Cërvena Zvezda dhe Trepça, është edhe një shembull i përpjekjeve të Prishtinës që Serbinë, në çfarëdo mënyre, madje edhe simbolikisht, ta largojnë nga Kosova edhe pse kjo ndeshje ka pasur për qëllim promovimin e sportit dhe jo ndonjë porosi politike”.

Autoritetet në Kosovë thanë se i kishin paralajmëruar autoritetet përgjegjëse serbe që më parë se nuk do të lejohet një ndeshje e tillë.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit – FIFA, kishte inkurajuar më herët përmes një shkrese Federatën e Futbollit të Kosovës që të lejojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje, por përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës kanë kërkuar ndërhyrjen e FIFA-s dhe UEFA-s për ndalimin e çdo lloj gare të futbollit të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës.

Kosova në vitin 2016 u bë anëtare, me të drejta të plota e UEFA-s dhe FIFA-s. Liga e Kosovës në Futboll tashmë njihet si një nga ligat evropiane dhe kjo ka mundësuar që ekipet nga Kosova të marrin pjesë garat evropiane në kuadër të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG