Lidhje

Dëmtohet një numër varrezash serbe në Kosovë


Policia tha se është shtuar prania e forcave të sigurisë përreth monumenteve serbe. Autoritetet vendase e ndërkombëtare dënojnë incidentet

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara dënuan sot në një deklaratë të përbashkët dëmtimin e varrezave serbe në Kosovë.

Në deklaratë thuhet mes tjerash se,”vargu i ngjarjeve që ndodhën në orët e fundit tregon se disa persona e konsiderojnë të justifikueshme shprehjen e mllefit, për shkak të heqjes së lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, duke dëmtuar varreza në Kosovë, në të cilat gjenden serbë të varrosur. Aktet e tilla janë plotësisht të papranueshme dhe kryesit e veprave duhet të sillen para drejtësisë. Ne iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës për të treguar përmbajtje dhe shprehim mbështetjen tonë të plotë për masat parandaluese të ndërmarra nga autoritetet e Kosovës”.

*******

Në Kosovë, policia tha se ka shtuar masat e sigurisë përreth monumenteve ortodokse serbe, pas raportimeve për dëmtim të një numri varrezash në komunën e Prizrenit dhe në atë të Kllokotit, një komunë me shumicë serbe në lindje të Kosovës.

Burimet lokale serbe të informimit thanë se dhjetëra varreza janë dëmtuar të dielën pak kohe pasi që autoritetet serbe larguan nga qendra e Preshevës një pllakë përkujtimore kushtuar të rënëve Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një veprim që nxiti reagime të ashpra edhe në Kosovë.

Policia tha se është duke hetuar njoftimet për dëmtimin e varrezave por tash për tash nuk dihet asgjë për motivet apo autorët e mundshëm.

Një zëdhënës i policisë tha se është shtuar prania e forcave të sigurisë përreth monumenteve ortodokse serbe për të shmangur incidentet e mundshme.

Policia tha se ka shtuar praninë e saj edhe në njërën nga lagjet me popullatë të përzier në veriun e Mitrovicës, pas raportimeve se dy shishe me benzinë janë hedhur para ndërtesës së komunës paralele të Mitrovicës.

Policia tha se shishet me benzinë të njohura si “koktej Molotov” nuk kanë shpërthyer, ndërsa po vazhdojnë hetimet për të ndriçuar motivet apo autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje që nga policia po trajtohet si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Dënohet dëmtimi i varrezave

Dëmtimi i varrezave nxiti reagimin e institucioneve vendase e ndërkombëtare.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë në reagimin e saj thotë se e ka parasysh rëndësinë e heqjes së monumentit shqiptar në Luginën e Preshevës gjatë fundjavës dhe shpreh keqardhje që ky veprim ka shkaktuar një reagim të dhunshëm në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dëshpërohen nga ky përdorim i dhunës dhe dënojnë përsëritjen e dhunës kundër monumenteve të serbëve të Kosovës, kishave dhe komuniteteve që kanë ndodhur gjatë natës. Jo vetëm që këto sulme dëmtojnë frymën e multikulturalizmit në Kosovë, por ato gjithashtu vënë në shënjestër komunitetet e Kosovës për vendimet e marra në Beograd.

Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje popullit të Kosovës që të respektojnë vlerat e përbashkëta të paqes dhe të tregojë vetëpërmbajtje. Apelojmë që protestat të jenë të qeta dhe të mbështesin plotësisht qeverinë e Kosovës në thirrjet e saj për qetësi”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, dënoi dëmtimin e varrezave duke theksuar se "Ngjarjet në Kosovë brenda 24 orëve të fundit tregojnë se disa njerëz e shohin të arsyeshme të shprehin frustrimin e tyre ndaj largimit të monumentit të UCPBM-së në Preshevë duke demoluar varrezat e serbëve në Kosovë.

Pa marrë parasysh arsyet për aktet e tilla, ato janë tërësisht të papranueshme. Prandaj unë i dënoj këto akte fuqishëm dhe i ftoj të gjithë qytetarët të tregojnë përmbajtje dhe maturi. Nuk ka asgjë më qyqare se sa të sulmohen mbetjet e njerëzve të varrosur në mënyrë që të zgjidhen çështjet me të gjallët. Të vdekurit duhet të respektohen, të varrosen dhe të lejohen të prehen në paqe. Nuk duhet të ketë aspak tolerance për akte të tilla jo njerëzore”.

Zoti Zbogar u bën thirrje autoriteteve “që t'i ndalojnë sulmet e tilla me mjete parandaluese dhe mbi të gjitha, i ftoj të gjithë njerëzit vullnet mire dhe të arsyeshëm të Kosovës të ndikojnë në debatin publik mbi këtë çështje ashtu që të ndalen këto akte të gabuara dhe jo etike njëherë e përgjithmonë."

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, thekson në reagimin e tij se “protestat paqësore janë normale në çdo shoqëri moderne dhe demokratike, por përdhosja e qëllimshme e varrezave dhe objekteve fetare është absolutisht për t’u dënuar”.

EULEX-i u bën thirrje qytetarëve të respektojnë ligjin dhe të tregojnë vetëpërmbajtje ndaj çdo akti të dhunshëm. “Policia dhe prokurorët e EULEX-it janë duke vëzhguar nga afër situatën dhe duke bashkërenduar me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. EULEX-i është i gatshëm të ndërhyjë dhe të mbështesë institucionet vendore të sundimit të ligjit nëse është e nevojshme."

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, dënoi sot dëmtimin e varrezave. “Përdhosja e varrezave dhe monumenteve fetare është e papranueshme dhe shkel jo vetëm të drejtat e komunitetit fetar dhe etnik të cilit i përkasin, por edhe të shoqërisë në tërësi. Unë jam i tmerruar nga këto akte të neveritshme vandale dhe e përshëndes dënimin e bërë nga ana e institucioneve të Kosovës. I bashkohem thirrjes së institucioneve drejtuar të gjitha komuniteteve për qetësi dhe përmbajtje nga çfarëdo akti që do të mund të çonte në dhunë”.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë vlerëson se “këto akte të dënueshme dëmtojnë aspiratat evropiane të Kosovës dhe janë në kundërshtim me vlerat universale. Ne mirëpresim deklaratën e Policisë së Kosovës, e cila bën thirrje për respektimin e të gjitha objekteve të trashëgimisë fetare dhe kulturore. Ne po ashtu presim masa të mëtejshme, jo vetëm për të identifikuar autorët e këtyre akteve të neveritshme, por edhe për të parandaluar incidente të tjera”, thuhet në reagimin e UNMIK-ut.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s tërhoqën vërejtjen se “ky është moment për çdo person të përgjegjshëm të parandalojë veprimet që vënë në pikëpyetje reputacionin e Kosovës. Vetëm ata që respektojnë të tjerët meritojnë respekt për veten e tyre. Mos lejoni që një grup i vogël individësh të njollosë qëndrimin tuaj ndërkombëtar. Demokracitë vlerësohen me aftësitë e të shprehurit të pikëpamjeve të ndryshme në mënyrë paqësore dhe në mënyrën se si sigurojnë respektimin dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve dhe trashëgimisë së e tyre”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Zyra e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një deklarate dënoi aktin e dëmtimit të varrezave të komunitetit serb në Kllokot duke e cilësuar si një vepër të papranueshme dhe të patolerueshme.

Dëmtimi i varrezave është në kundërshtim me vlerat e shoqërisë në Kosovë dhe me traditën e tolerancës dhe të respektit ndërmjet njerëzve, religjioneve dhe kulturave të ndryshme”, thuhet në deklaratë nëpërmjet së cilës u bëhet thirrje organeve të hetuesisë që “të gjejnë dhe kapin autorët e këtij akti vandal dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë”.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thekson në reagimin e tij se, “ky akt është në kundërshtim me vlerat tona njerëzore dhe demokratike dhe sigurisht një akt i tillë nuk i kontribuon tolerancës ndërnjerëzore dhe ndëretnike”.

Ndërkaq, qeveria e Kosovës në një deklaratë thekson se “duke dënuar edhe njëherë veprimin e shëmtuar të heqjes me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës, fton të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës që të jenë të matur në reagimet e tyre karshi veprimeve jocivilizuese të Qeverisë së Serbisë. Çdo veprim i dhunshëm i dëmtimit të varrezave të komunitetit serb është në kundërshtim të plotë me traditën dhe ligjet e Kosovës, me përkushtimin institucional të Kosovës për afirmimin e vlerave civilizuese evropiane dhe në kundërshtim të plotë me interesat legjitime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës që të gjitha reagimet e tyre qytetare dhe institucionale t’i bëjnë në frymën demokratike dhe civilizuese, duke mos rënë në provokimet e Qeverisë së Serbisë”.

Incidentet janë dënuar edhe nga partitë politike. Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron “vepër jo të mirë dhe të papranueshme dëmtimin e memorialeve në varrezat ortodokse në Kllokot. LDK-ja konsideron se ky veprim është në kundërshtim me traditën tonë”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Dëmtimi u dënua edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila nëpërmjet një komunikate i cilëson veprimet e tilla “akte si të rënda, të papranueshme dhe me tendencë të prishjes së imazhit të Kosovës dhe dëmtimit të proceseve nëpër të cilat po kalojmë”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që “të tregohen të përmbajtur ndaj këtyre zhvillimeve dhe që të kenë besim të plotë në tejkalimin e situatës”.
XS
SM
MD
LG