Lidhje

Lista serbe kthehet në institucionet e Kosovës


Përfaqësuesit e Listës serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës kanë vendosur që të kthehen në institucionet e vendit, gati gjashtë muaj pas bojkotimit të tyre.

Lista Serbe kthehet në institucione
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Në tetor të vitit të kaluar, përfaqësuesit politik serb në institucionet e Kosovës, patën vendosur ngrirjen e funksioneve të tyre në qeverinë dhe parlamentin e Kosovës, për shkak të zemërimit ndaj miratimit të ligjit nga ana e parlamentit të Kosovës për kombinatin metalurgjik Trepça, i cili është vënë nën administrimin e qeverisë.

Shefi i Grupit parlamentar të Listës serbe, Slavko Simiç, tha se nëpërmjet institucioneve presin që të shtyjnë përpara interesat e popullit serb.

Kërkojmë që sa më shpejt të nisë procesi për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe natyrisht që t’u kundërvihemi të gjitha atyre ligjeve dhe proceseve të cilat nuk janë në interesat tona kombëtare, që nuk janë në interesin e popullit serb që jeton në Kosovë dhe natyrisht t'u kundërvihemi të gjitha proceseve që kërcënojnë interesat e vlefshme të komunave me shumicë serbe dhe popullit serb që jeton në Kosovë”, tha zoti Simiç.

Vendimi i institucioneve të Kosovës që të ndryshojnë mandatin dhe detyrat e Forcave të Sigurisë ka nxitur reagimin e Beogradit zyrtar dhe përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës, të cilët kundërshtojnë këtë nismë duke e cilësuar atë të rrezikshme për rajonin. Shefi i Listës serbe tha se një gjë të tillë nuk do të duhej të bëhej pa mbështetjen e të gjithëve.

Ne nuk duam të marrim pjesë në një proces që shkatërron legjitimitetin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për ne kjo rezolutë është ende e vlefshme dhe mendojmë se nuk është e nevojshme që të hyjmë në një marrëveshje që shndërrimi i Forcave të Sigurisë në ushtri të Kosovës të bëhet pa mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, të NATO-s dhe pa ndryshimet kushtetuese dhe natyrisht pa mbështetjen e komuniteteve pakicë në Kosovë”, tha ai.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i parlamentit Kadri Veseli kanë shtyrë përpara çështjen e ndryshimeve për detyrat dhe misionin e Forcave të Sigurisë, por mënyra e tyre ka nxitur edhe reagimin e NATO-s dhe ambasadës amerikane që u shprehën të shqetësuara me paralajmërimet për ndërrimin e mandatit të kësaj force pa ndryshime kushtetuese.

Edhe, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka shprehur mbështetje për formimin e ushtrisë por siç thotë ai duke iu qëndruar besnikë marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtar, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO.

Shndërrimi i mandatit dhe detyrave të Forcave të Sigurisë ka gjetur mbështetje te shumica e partive politike në Kosovë, të cilat kanë shprehur gatishmërinë për të votuar këto ndryshime, por kanë kërkuar bashkërendim me faktorin ndërkombëtarë.

Shiko komentet (1)

Ky forum është mbyllur
XS
SM
MD
LG