Lidhje

Vdiq Nexhmie Pagarusha


Në Prishtinë në moshën 86-vjeçare, vdiq këngëtarja e njohur e Kosovës. Nexhmie Pagarusha.

E lindur në maj të vitit 1933 në Malishevë në Kosovën qendrore, Nexhmie Pagarusha kishte filluar karrierën e saj muzikore në vitin 1948 në Radio Prishtinë.

Më 1984 ajo përmbylli karrierën e saj si këngëtare në një koncert në Sarajevë.

Përveç këngëtare ajo ishte edhe aktore filmi e teatri.

Përgjatë karrierës është cilësuar si “Bilbili i Kosovës” dhe për vlerat e punës së saj është nderuar me çmimin “Nderi i Kombit” nga presidenca e Shqipërisë, ndërsa presidenca e Kosovës i ndau çmimin “Artiste e Merituar”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh “i pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije Pagarushës, e cila me zërin e saj e përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare. Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar. Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës!”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta shkroi në facebook: “me shumë dhimbje e hidhërim të thellë mora lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të Mbretëreshës së këngës shqiptare, artistes sonë të madhe e të papërsëritshme, Nexhmije Pagarusha. E dashur dhe e admiruar nga të gjitha brezat për vokalin e jashtëzakonshëm, emocionet dhe krenarinë që i dhuroi kombit në dekada, kjo humbje e pazëvendësueshme i ka prekur sot të gjithë shqiptarët dhe admiruesit e saj kudo. Si artiste që bëri histori në momente të vështira, falë talentit artistik, personalitetit fisnik e të spikatur, Nexhmije Pagarusha, do jetë përherë një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë”, shkroi mes tjerash presidenti Meta.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se vdekja e Nëxhmie Pagarushës është humbje e madhe për të gjithë popullin dhe muzikën.

“Sot për ty të gjithë i kemi sytë e njomë! Bilbili na la. Këngët e saj po më sillen nëpër kokë. Zëri i saj s’pushon. Mes pak minutave të lirë nga takimi në takim, që po i kam, po e gjej veten duke menduar rreth këtyre këngëve. Nexhmije Pagarusha, talentja e papërsëritshme muzikore, vdiq sot në moshën 86 vjeçare. La pas vetes plot 5 albume e 88 këngë. Më shumë vepra se vite jete. Secila këngë më e mirë se tjetra”, shkroi ai.

Ndërkaq kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani shkroi se “për dhjetëvjetësha të tërë, me zërin e saj kumbues, ajo e kultivoi muzikën e mirëfilltë shqipe, duke u shndërruar në mbretëreshën e saj. Nga “Baresha” e deri te “Zambaku i Prizrenit”, këngët e saj do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë”

“Ne e kemi rritur shtatin duke i dëgjuar e ridëgjuar perlat e “Bilbilit të Kosovës”. Ndarja nga jeta nuk na ndan nga këngët e saj e nga trashëgimia e pasur artistike që na e la”, shkroi zonja Osmani.

Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, në një postim të rrjetet sociale shprehu pikëllimin për vdekjen e Nexhmie Pagarushës “një artiste e shquar dhe një heroinë e shumë brezave. Ngushëllime familjes, miqve dhe fansave të saj. Do të na mungojë”, thuhet në postim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG