Lidhje

Kosovë: Për dhe kundër Gjykatës së Posaçme


Në një letër drejtuar udhëheqësve të lartë të vendit, opozita kërkon ndërprerjen e procesit të ngritjes së Gjykatës së Posaçme. Ambasadorja amerikane kërkon përmbushjen e këtij detyrimi

Në Kosovë, udhëheqësit e tri partive në opozitë, u bënë thirrje udhëheqësve të institucioneve, që t’i ndërpresin menjëherë të gjitha veprimet politike e institucionale për ngritjen e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

Në një letër të hapur drejtuar presidentes, kryeministrit, kryetarit të parlamentit dhe zëvendëskryeministrit të parë, udhëheqësit e partive opozitare shkruajnë se ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës së Posaçme kërkojnë “pezullimin e dispozitave kushtetuese lidhur me sovranitetin e pushtetit gjyqësor. Ky nuk është delegim i sovranitetit. Kjo është heqje dorë nga cilësia parësore e shtetit pra, funksionimi sovran”.

Në letër thuhet se udhëheqësit e institucioneve nuk kanë “as të drejtë kushtetuese juridike e as legjitimitet demokratik që të dorëzojnë sovranitetin i cili buron nga populli si e drejtë e patjetërsueshme e tij”.

Në letër kundërshtohet edhe opinioni i Gjykatës Kushtetuese, e cila më 15 prill të këtij viti tha se ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte, nuk janë në kundërshtim me kushtetutën e vendit.

Ju, katër udhëheqësit institucionalë të Republikës së Kosovës nuk e keni as të drejtën as mandatin e as autorizimin ta suprimoni sovranitetin e vendit. Amendamenti kushtetues nuk duhet të sillet për votim në Kuvend. Prandaj kërkojmë nga Ju që menjëherë t’i ndërprisni të gjitha veprimet politike e institucionale në këtë drejtim”, thuhet veç tjerash në letrën e nënshkruar nga Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.

Të premten më 29 maj, parlamenti i Kosovës, shtyu për kohë të pacaktuar debatin për miratimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme. Vendimi për shtyrje që u votua nga shumica e deputetëve pasoi propozimin Partisë Demokratike, në pritje të projektligjit që është hartuar nga Bashkimi Evropian.

Përfaqësues të opozitës thanë se arsyeja e vërtetë e shtyrjes ishte mungesa e votave të mjaftueshme të partive në pushtet, meqë edhe një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike ishin shprehur kundër gjykatës. Miratimi i ndryshimeve kushtetuese për Gjykatën kërkon dy të tretat e votave të deputetëve si dhe mbështetjen e dy të tretave të votave të komuniteteve pakicë.

Drejtues të institucioneve dhe diplomatë perëndimorë thonë se dështimi i mundshëm i parlamentit mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara gjë që do të ishte e dëmshme për Kosovën.

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë strategjikë nuk do të bllokojnë më tutje procesin e themelimit të kësaj gjykate nga Kombet e Bashkuara.

U bëj thirrje udhëheqësve politikë, qeverisë dhe parlamentit që ta marrin seriozisht këtë dhe të lëvizin përpara, e jo të rrezikojnë legjitimitetin e vazhdueshëm dhe imazhin, për shkak të një numri të vogël të njerëzve që mund të akuzohen nga kjo gjykatë”, tha ajo gjatë nje veprimtarie të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtare, me temën “Angazhimi për barazi”.

Ajo tha qeveria e e Kosovës do të marrë projektligjin e hartuar nga Brukseli në të cilin kanë punuar të gjitha palët e interesuara.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për miratoi themelimin e gjykatës së posaçme, e cila do të vendoset në Holandë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje për këtë çështje dhe ajo do të drejtohet nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

XS
SM
MD
LG