Lidhje

Kosovë, peticion për ndryshimin e ligjit mbi Gjykatën e Posaçme


Organizata e veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filloi sot nënshkrimin e një peticioni me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet dhe plotësohet ligji për Gjykatën e Posaçme për krime lufte, të cilën ata e cilësojnë diskriminuese për Kosovën.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin "dhomat e posaçme" do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Nënkryetari i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, tha se është mundësia e fundit që siç tha kjo e padrejtë të korrigjohet.

Dëshira jonë është që Gjykata e Posaçme të mos kishte ndodhur fare, të largohet tani dhe punën e tyre ta kryejnë gjykatat e Kosovës mirëpo pasi që ka ardhur deri këtu mendoj që Gjykata e Posaçme që tani është miratuar në parlament në legjislaturën e kaluar ka bërë shkelje njerëzore. Mund të them që i përngjan një gjykate të një kohe të fashizmit kur shpallej njëanshëm një popull fajtor”, tha ai.

Ai tha se organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kërkojnë të paktën që ligji të ndryshohet.

Ndërsa, kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari tha se Gjykata e Posaçme shkel kushtetutën e vendit pasi që sipas tij është e njëanshme.

Ku ka padrejtësi më të madhe që u bëhet edhe institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve kur i hapet mundësia dhe krijohet një gjykatë me pretendimet se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëtarët e saj kanë bërë krime e ndërsa ata që e dinë e që udhëheqin organet më të larta të shtetit se kush ka bërë krime dhe kush janë ata kriminelë që madje edhe lirshëm shëtisin”, tha ai.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Gjykata e Posaçme për krime lufte nuk do të shqyrtojë asnjë krim të kryer ndaj shqiptarëve dhe kjo sipas tij e bën atë një gjykatë etnike.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata është vendosur në Hagë për faktin se siç është thënë dëshmitarët mund të ndiheshin të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG