Lidhje

Emërohet kryetarja e Gjykatës së Posaçme për Kosovën


Ekaterina Trendafilova
Ekaterina Trendafilova

Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë. Alexandra Papadopoulou, emëroi të mërkurën juristen bullgare Ekaterina Trendafilova në postin e kryetares së Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë.

Zonja Trendafilova kishte shëbryer nga muaji mars i vitit 2006 deri në mars të viti 2015, si gjykatëse në Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Në fillim të muajit dhjetor Holanda ratifikoi marrëveshjen për të qenë mikpritëse e Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë e cila do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2017.

Gjykata është e vendosur në Hagë, qytetin që është mikpritës edhe i tri gjykatave ndërkombëtare përfshirë edhe atë për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës pesë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Në vitin 2011 Bashkimi Evropian krijoi një Grup të Posaçëm për të hetuar rreth akuzave të raportit Marty.

Kryeprokurori i parë, Clint Williamson, njoftoi në korrik të vitit 2014 se ai kishte gjetur mjaft prova për të ngritur akuza ndaj disa ish drejtuesve të UÇK-së, që sipas tij, ishin përgjegjës për një fushatë të organizuar rrëmbimesh, arrestimesh të paligjshme, vrasje pa gjyq dhe dhunë seksuale.

Sipas tij, shumica e viktimave ishin pjesëtarë të grupeve të tjera pakicë në Kosovë serbë, romë e të tjerë, por edhe shqiptarë të konsideruar bashkëpunëtorë të serbëve, ose kundërshtarë politikë të udhëheqjes së UÇK-së. Lidhur me supozimin për "trafikim organesh", zoti Williamson vinte në dukje se nuk kishte gjetur mjaft prova sa për të ngritur akuza.

Në maj të vitit të kaluar, kryeprokuror i posaçëm u emërua amerikani David Schwendiman.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme , e cila me emrin dhomat e posaçme do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë. Gjykata e financuar nga Bashkimi Evropian do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Vendosja e gjykatës në Hagën është thënë se është bërë për faktin se dëshmitarët mund të ndiheshin të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe ajo do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet se kur mund të hapen akuzat e para por, zyrtarë të afërt me gjykatën pohojnë se kjo mund të ndodhe në pranverën e vitit që po vjen.

XS
SM
MD
LG