Lidhje

Gjykata e Posaçme për krime lufte në Kosovë - afër funksionalizimit


Gjykata e Posaçme për krime lufte në Kosovë, tha se ka harmonizuar Rregulloret e Procedurës dhe Provave të kësaj gjykate me Kushtetutën e Kosovës duke hapur rrugën për fillimin e punës.

Kjo u bë e ditur të mërkurën pasi që në prill të vitit 2017 ishte vlerësuar se nëntë nga 208 rregullat e dokumentit mbi të cilin funksionon kjo gjykatë nuk ishin në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Pas ndryshimeve dhe harmonizimit, rregullorja hynë në fuqi brenda shtatë ditësh dhe pas asaj Gjykata mund të fillojë punën.

Nëntëmbëdhjetë gjykatës nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vendet e Evropës perëndimore janë emëruar në fillim të muajit shkurt në Gjykatën e Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Gjykata është e vendosur në Hagë, qytetin që është mikpritës edhe i tri gjykatave ndërkombëtare përfshirë edhe atë për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Në vitin 2011 Bashkimi Evropian krijoi një Grup të Posaçëm për të hetuar rreth akuzave të raportit Marty.

Kryeprokurori i parë, Clint Williamson, njoftoi në korrik të vitit 2014 se ai kishte gjetur mjaft prova për të ngritur akuza ndaj disa ish drejtuesve të UÇK-së, që sipas tij, ishin përgjegjës për një fushatë të organizuar rrëmbimesh, arrestimesh të paligjshme e vrasjesh pa gjyq.

Sipas tij, shumica e viktimave ishin pjesëtarë të grupeve të tjera pakicë në Kosovë serbë, romë e të tjerë, por edhe shqiptarë të konsideruar bashkëpunëtorë të serbëve, ose kundërshtarë politikë të udhëheqjes së UÇK-së. Lidhur me supozimin për "trafikim organesh", zoti Williamson vinte në dukje se nuk kishte gjetur mjaft prova sa për të ngritur akuza.

Në maj të vitit 2015, kryeprokuror i posaçëm u emërua amerikani David Schwendiman.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin "dhomat e posaçme" do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë. Gjykata e financuar nga Bashkimi Evropian do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Vendosja e gjykatës në Hagë është thënë se është bërë për faktin se dëshmitarët mund të ndiheshin të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG