Lidhje

Gjykata e Posaçme – të premten në parlament


Opozita kundërshton ngritjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte dhe paralajmëroi bojkotimin e seancës ku duhet të votohen ndryshimet kushtetuese që mundësojnë ngritjen e saj

Të premten më 26 qershor parlamenti i Kosovës do të shqyrtojë amendamentet kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë. Por, ky vendim që u publikua pas mbledhjes së kryesisë së parlamentit u mor pa praninë e partive opozitare të cilat braktisën mbledhjen në shenjë mospajtimi, ndërsa paralajmëruan edhe bojkotimin e seancës së të premtes.

Gjykata e posaçme për Kosovën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje tha se “po kërkohet që Kushtetuta të ndryshohet dhe që sistemi gjyqësor të gjymtohet në tri nivelet e tij, që të krijohen hapësira të reja juridike të udhëhequra nga të huajt, nga ndërkombëtarët, dhe në të cilat nuk do të ketë kurrfarë ingerence Republika e Kosovës”.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, grisi publikisht projektligjin për gjykatën. “Përgjigja e jonë në këtë projektligj do të jetë që ne, ashtu sikurse sot që simbolikisht po e shqyejmë para mediave dhe opinionit atë, edhe në ditët e ardhshme do t'i bëjmë të gjitha veprimet e duhura që këto veprime bizare nga ana e qeverisë dhe mazhorancës, të ndalen”, tha ajo.

Ngritja e gjykatës nënkupton pikë së pari miratimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë kalimin e një pjese të përgjegjësive tek prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë që do ta udhëheqin atë. Miratimi i tyre kërkon dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë

Kryetari i parlamentit Kadri Veseli tha se në votim do të hidhen amendamentet, ndërsa qeveria do të jap një informatë mbi përmbajtjen e projektligjit për gjykatën. Të premten e kaluar qeveria vendosi t’ua shpërndajë deputetëve projektligjin e hartuar nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë disa nga ndryshimet e kërkuara nga Prishtina e që kishin të bënin me formulime ku ishte përfshirë edhe fjala gjenocid.

Përballja me gjykatën nuk e do të jetë e lehtë ka thënë, tha zoti Veseli. “Kemi një situatë në të cilën jemi mes emocioneve dhe arsyes. Emocionet janë ato të cilat neve na bëjnë krenar me luftën e lavdishme të UÇK-së. Të njëjtën kohë kemi arsyen ngase janë shumë akuza e mjegulla të cilat janë vënë mbi këtë luftë dhe bartësit e luftës së UÇK-së”, tha ai, duke vënë theksin tek ruajtja e partneritetit ndërkombëtar.

Drejtues të institucioneve dhe diplomatë perëndimorë thonë se dështimi i mundshëm i parlamentit, mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjë që do të ishte e dëmshme për Kosovën.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për miratoi themelimin e gjykatës së posaçme. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

XS
SM
MD
LG