Lidhje

Përplasje para Universitetit të Prishtinës


Përleshjet ndodhën gjatë protestave në të cilat po kërkohet shkarkimi i rektorit të këtij Universiteti.

Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë grupe studentësh dhe pjesëtarësh të organizatave joqeveritare, që po protestonin në hyrje të rektoratit të Universitetit Publik të Prishtinës, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të rektorit të këtij Universiteti, Ibrahim Gashi. Protestuesit hodhën gjësende të forta mbi pjesëtarët e policisë që penguan përpjekjet për të hyre brenda godinës së rektoratit.

Që nga java e kaluar grupe studentësh kanë kërkuar hetimin e siç thuhet keqpërdorimeve në këtë universitet, vërtetimin e gradave shkencore të mësimdhënësve dhe largimin e ndikimeve politike në këtë institucion. Protestat e organizuar nga Lëvizja Studentore për barazi, studim kritikë, veprim, dhe disa organizata tjera studentore pasuan një periudhë debatesh mbi zhvillimet në Universitetin e Prishtinës. Reagimet u shtuan pas raportimeve në mediet lokale se një pjesë e punimeve shkencore që rektorit Gashi i janë njohur si mbështetje për gradimin e tij akademik, janë të botuara në një revistë të falsifikuar në Indi.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës kërkoi javën që lamë pas që punimet e diskutueshme shkencore të tërhiqen dhe paralajmëroi se është duke punuar për normalizimin e situatës në Universitet. Madje ai caktoi një afat prej 45 ditësh për sqarimin e të gjitha çështjeve të hapura në Universitet dhe përcaktimin e përgjegjësisë për të gjitha shkeljet e pretenduara.

Gjendja në Universitetin e Prishtinës, që është institucioni më i madh e më i vjetër i arsimit të lartë në Kosovë. ishte temë diskutimesh edhe në seancën e sotme të Parlamentit të Kosovës. Lidhja Demokratike që ishte nismëtare e debatit dhe dy partitë tjera në opozitë lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkojnë largimin e menjëhershëm të rektorit Ibrahim Gashi, ndërsa Partia Demokratike kërkon hetimin e të gjitha shkeljeve në Universitetin e Prishtinës, por jo nëpërmjet protestave që ata i cilësojnë me motive politike.

Madje kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri thirrje që të vërtetohen të gjitha gradat shkencore prej vitit 1991 e deri më sot.
XS
SM
MD
LG