Lidhje

Kosovë: Edhe dy gra të kthyera nga Siria akuzohen për pjesëmarrje në grup terrorist


Kosovo/Syria
Kosovo/Syria

Në Kosovë Prokuroria e Posaçme ngriti akuzë edhe ndaj dy prej 32 grave të kthyera në pranverën e këtij viti nga Siria.

Të premten kjo prokurori tha se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurave V.A dhe E.S. për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Sipas prokurorisë, “e pandehura V.A. më 18 maj të vitit 05.2014, me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka udhëtuar për në Stamboll, nga aty për në qytetin Gazientep, më pastaj sipas udhëzimeve të pjesëtarëve të ISIS-it, ka arritur në qytetin Gjarablus të Sirisë”.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se “me të arritur në Siri e pandehura V.A. është pritur nga K.A. luftëtar i ISIS-it, me të cilin është martuar dhe gjatë qëndrimit në këtë zona të konfliktit nga K.A. është furnizuar me një armë të llojit “Makarov”, pronë e ISIS-it, të cilën e ka përdorë sipas udhëzimeve të tij. Po ashtu, e pandehura ka kontribuar në pikëpamje logjistike për bashkëshortin e saj luftëtar i ISIS-it, dhe është financuar nga Shteti Islamik me nga 50 dollar në muaj për person si dhe me pako ushqimore.

Ndërkaq, pas vrasjes së bashkëshortit të saj, ka qëndruar në këto zona të konfliktit dhe në muajin dhjetor të vitit 2018, përgjatë kufirit me Turqinë është arrestuar nga Forcat Demokratike Siriane, dhe më 19 prill të vitit 2019, e pandehura është riatdhesuar në Kosovë”.

Ndërkaq, “e pandehura E.S. me 17 dhjetor të vitit 2014, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, së bashku me bashkëshortin e saj, M.S. përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, kanë depërtuar në Republikën e Maqedonisë, dhe nga Aeroporti i Shkupit kanë udhëtuar për në Stamboll të Turqisë, e më pastaj në qytetin Gazientep, prej nga janë transportuar nga ana e pjesëtarëve të ISIS-it, në drejtim të zonës kufitare me Sirinë, ku edhe kanë kaluar kufirin nga Turqia në Siri.

Pas arritjes janë regjistruar në këtë organizatë terroriste, bashkëshorti i saj ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë, ndërkaq e njëjta ka kontribuar në pikëpamje logjistike të mbështesë luftëtarët e ISIS-it, dhe njëkohësisht është financuar nga ISIS me nga 100-150 dollarë në muaj, si dhe me pako ushqimore. Ndërkaq, pas vdekjes së bashkëshortit të saj, pas martesës me personin B.F. luftëtarë i ISIS-it, ka qëndruar dhe vepruar edhe më tutje në zonat e konfliktit në Siri, ku ka kontaktuar edhe me luftëtarë të tjerë të ISIS-it. Ndërsa, në muajin dhjetor të vitit 2018, përgjatë kufirit me Turqinë janë arrestuar nga Forcat Demokratike Siriane dhe me 19 prill 2019, e pandehura është riatdhesuar në Kosovë”.

Gjithsej 110 persona, 32 gra, 74 fëmijë dhe 4 burra, u kthyen në prill të këtij viti nga Siria në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Menjëherë pas kthimit burrat u dërguan në burg, ndërsa autoritetet filluan hetimet ndaj 32 grave. Tashmë disa prej tyre janë nën aktakuzë dhe të paktën njëra nga gratë është dënuar me kusht, ndërsa njëri nga burrat me katër vjet heqje lirie.

Disa dhjetëra qytetarë të Kosovës përfshirë gra e fëmijë vazhdojnë të mbeten në zonat e konfliktit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG