Kosova mori vendim të premten që të zgjerojë tarifën prej 100 për qind ndaj Serbisë, dhe ajo tashmë do të përfshijë edhe kompanitë ndërkombëtare që furnizojnë Kosovën përmes Serbisë. Sipas këtij vendimi të gjitha prodhimet që vijnë nga Serbia apo Bosnja, përfshirë edhe nëntë mallra kompanish ndërkombëtare që prodhojnë në këto dy vende, do t’i nënshtrohen tarifës prej 100 për qind.
Në fund të muajit nëntor qeveria e Kosovës vendosi tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe, mirëpo, kishte përjashtuar një listë të kompanive ndërkombëtare që furnizojnë Kosovën përmes Serbisë. Ndërsa tash e tutje, sipas vendimit të qeverisë, të gjitha prodhimet që vijnë nga Serbia apo Bosnja, përfshirë edhe nëntë mallra kompanish ndërkombëtare që prodhojnë në këto dy vende, do t’i nënshtrohen tarifës prej 100 për qind.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha pas mbledhjes së qeverisë se veprimet e Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, e arsyetojnë këtë vendim.
“Letra e kryeministres serbe, Ana Bërnabiç, e cila u drejtohet kryeministrave të shteteve që e kanë njohur Kosovën me kërkesën që ta tërheqin njohjen është e papranueshme për ne. Pra kjo është një dëshmi që jo vetëm se kemi të drejtë në taksë por po na imponohen edhe veprime të tjera”.
Vendimi i Kosovës për taksë 100 për qind ndaj mallrave serbe kishte nxitur reagimin e ashpër të Bashkimi Evropian dhe të Beogradit. Përfaqësues të Bashkimit Evropian i kanë bërë thirrje Kosovës në vazhdimësi që të anulojë këtë taksë. Por, kryeministri Haradinaj, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të mos heshtë kundrejt veprimeve të Serbisë.
“Unë jam shumë i habitur me heshtjen e zonjës Mogerini, komisionarëve të tjerë si Hahn, Malmstrom, e të gjithë zyrtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian për heshtjen ndaj kësaj letre. Kjo nuk është as në frymën e dialogut e as të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kjo është kundër dialogut e kundër perspektivës evropiane të rajonit tonë, edhe ju bëj thirrje udhëheqësve të Bashkimit Evropian që të mos heshtin për shkak se kjo heshtje e ka sjellë punën aty ku jemi sot”.
Vendimi i së premtes pritet të tensionojë edhe më tej marrëdhëniet edhe ashtu shumë të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Serbia ka paralajmëruar se nuk do të ketë vazhdim bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën derisa nuk hiqet taksa, që ishte miratuar nga qeveria e Kosovës si kundërvënie ndaj fushatës së Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Kosova importon nga Serbia mallra në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh në vit.
Facebook Forum