Qeveria e Kosovës shkarkoi të mërkurën bordin e drejtorëve të ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari tha se ndërmarrja publike e telekomunikacionit është në gjendje të rëndë financiare.
“Ndërmarrja është në gjendje të rëndë ndodhet në prag të falimentimit. Duke rrezikuar shërbimet e telekomunikacionit në Republikën e Kosovës, duke rrezikuar pronën publike, jetesën e të mijërave të punësuarve si dhe rendin publik dhe sigurinë kombëtare që lidhen ngusht me telekomunikacionin”, tha ministrja Hajdari duke arsyetuar vendimin e saj për të shkarkuar bordin e telekomit.
“Drejtorët duhet të shkarkohen për tri arsye, nën 1, ndërmarrja nuk ka përmbushur planin e biznesit, nën 2, qeveria ka arsye për të besuar se drejtorët kanë shkelur detyrat financiare, drejtorët e tashëm kanë lejuar shpenzime të tepërta, punësime e gradime pa kriter dhe kontrata të panevojshme për ndërmarrjen. Nën 3, rezoluta e Kuvendit që është detyruese për qeverinë kërkon shkarkimin e drejtorëve”, tha ministrja Hajdari.
Aktualisht Telekomi i Kosovës ndodhet në krizë të thellë financiare ndërsa qeveria ka refuzuar të ofrojë fonde shpëtimi, por pret një ristrukturim të tij para se të rihapë mundësinë e re të privatizimit. Ekspertët thonë se qeveria nuk duhet ta lejojë falimentimin e tij meqë kjo do të kishte pasoja të rënda.
Telekomi i Kosovës është kompani publike në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala me mbi 1.2 milion konsumatorë në shkallë vendi dhe dikur njihej si një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në vend.
Telekomi i Kosovës dy herë i ishte nënshtruar procesit të privatizimit, por në të dyja rastet ky proces kishte dështuar për shkak të kundërshtimeve politike.