Lidhje

Vritet pjesëtari i ISIS-it nga Kosova, Ridvan Haqifi


Ridvan Haqifi, nga Kosova, pjesëtar i grupit militant Shteti Islamik, thuhet të jetë vrarë në Siri. Autoritetet në Kosovë nuk deshën të komentojnë njoftimin, por burime brenda institucioneve të sigurisë i thanë Zërit të Amerikës se ai është vrarë diku në Siri, por nuk dihet as koha dhe as vendi i saktë.

Ridvan Haqifi, ish imam në qytetin e Gjilanit, kishte shkuar në Siri pak kohë pas fillimit të kryengritjes së atjeshme kundër presidentit Bashar Al-assad. Ai i ishte bashkuar grupit militant Shteti Islamik dhe në vitin 2014 ishte shfaqur si udhëheqës i shqiptarëve në atë grup, duke zëvendësuar Lavdrim Muhaxhirin nga qyteti i Kaçanikut në Kosovë, i cili u bë i njohur në korrik të vitit 2014 pasi që postoi në Facebook fotografi grafike të veprimeve të tij.

Ridvan Haqifi që mbante nofkën e luftës Abu Muqatil (Al Kosovi), u paraqit në një video propagandistike të grupit militant ISIS, në qershor të vitit 2015, duke paralajmëruar sulme edhe në Kosovë. “ Do të vijmë dhe do të ju trishtojmë edhe në ëndrrat tuaja”, thoshte ai në videon e shpërndarë nga ISIS-i.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.

Mbi 40 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.

XS
SM
MD
LG