Lidhje

Kosovë: Dënohen tre persona në lidhje me terrorizmin


Tre shqiptarë të Kosovës janë dënuar me heqje lirie nën akuzat për veprën penale "bashkim apo pjesëmarrje në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individuale jashtë territorit të Kosovës".

Dy prej tyre janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjet e katër muaj, ndërsa i treti me heqje lirie prej 2 vjet e gjysmë.

Në një njoftim të Gjykatës thuhet se tre të akuzuarit, që janë identifikuar si T.I, I.Z dhe N.Z, "më 14 nëntor të vitit 2015, "pas marrëveshjes paraprake në mes veti, janë takuar te stacioni i autobusëve në Prishtinë dhe janë nisur drejt pikës kufitare Hani i Elezi. Me taksi e kanë kaluar kufirin Kosovë-Maqedoni, më pas rreth orës 18:00, kanë arritur në aeroportin e Shkupit, përmes të cilit kanë fluturuar me aeroplanin “Turkish Airlines” për në Stamboll, me qëllim të udhëtimit për në Siri dhe që t'i bashkohen organizatës terroriste ISIS. Në aeroportin e Stambollit në janë ndaluar nga autoritetet e Turqisë, dhe janë kthyer në kanë kthyer në aeroportin e Shkupit. Më pas janë arrestuar nga policia e Kosovës".

Që nga viti 2013, autoritetet në Kosovë kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në disa dhjetëra. Mbi 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Autoritetet thonë se është pakësuar numri i atyre që i janë bashkuar luftës në Siri dhe Irak.

XS
SM
MD
LG