Lidhje

Kosovë: Një i akuzuar për pjesëmarrje në ISIS


Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë kundër shtetasit A.GJ. nën dyshimet për veprën penale "bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj".

Sipas aktakuzës i pandehur, që nga burimet vendase është identifikuar si Ardian Gjuraj, gjatë viteve 2014 – 2015, duke jetuar në Gjermani, ishte bërë përkrahës i organizatës terroriste “ISIS”. Ai është shtetas i Kosovës por i lindur në Koblenz të Gjermanisë.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se ai ishte dëbuar nga Gjermania për në Kosovë me 18 prill të vitit 2015.

Më 11 dhjetor të vitit 2015, "nga aeroporti i Prishtinës ka udhëtuar për në Turqi, duke u fshehur si anëtar i Organizatës Joqeveritare 'LIZA-R', për t'u ndarë më pas nga grupi dhe për të vazhduar për në Siri, duke ju bashkangjitur grupit të shqiptarëve të cilët luftojnë në radhët e organizatës “ISIS”.

Më datë 25 shkurt të këtij viti, është kapur nga autoritetet turke derisa po hynte në rrugë të paligjshme nga Siria në Turqi. Sipas prokurorisë ai është paraqitur "si shtetas i Rusisë, Ashab Arsayev, dhe është paraburgosur, kurse më datën 5 shtator 2016 është dorëzuar në Kosovë".

Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale, “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës", thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në pranverën e vitit të kaluar parlamenti i Kosovës miratoi një ligj që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.

Sipas autoriteteve rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në konfliktet në lindjen e mesme, ndërsa atje ende ndodhen 140, nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.

Besohet se 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat.

XS
SM
MD
LG