Lidhje

Kosovë: Aktakuzë për nxitje të veprimeve terroriste


Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti të hënën akuzë kundër një shtetasi të Kosovës nën dyshimet për veprën penale "shtytja për kryerjen e veprave terroriste".

Sipas aktakuzës "i pandehuri R.A., si përkrahës i organizatës terroriste ISIS, gjatë disa muajve ka postuar video incizime" me tekste në të cilat u ka bërë thirrje myslimanëve që në emër të xhihadit të kryejnë sulme terroriste kundër qeverisë së Kosovës dhe ambasadave të huaja në Kosovë.

I akuzuari që mediet lokale e identifikuan si Rakip Avdyli, qe arrestuar në muajin prill në Pejë.

Që nga viti 2012, mbi 300 qytetarë të Kosovës u janë bashkuar luftërave në Siri dhe Irak. Rreth 120 syresh janë kthyet në Kosovë, ndërsa edhe më tej atje besohet se janë 75 luftëtarë dhe po aq gra dhe fëmijë.

Rreth 200 veta janë hetuar për përfshirje në rekrutimin dhe nxitjen e përfshirjes në veprime ekstremiste.

Autoritetet thonë gjithashtu se gjatë vitit të fundit nuk janë regjistruar raste të përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme.

GJYKATA DËNON PERSONIN QË VENDOSI FLAMURIN E ISIS-IT

Ndërkohë, një gjykatë e Kosovës dënoi me 180 orë punë në komunitet një shqiptar i cili vendosi një flamur të Shtetit Islamik në një kryqëzim të Prishtinës.

Personi me inicialet Q.M. u arrestua në shtator të vitit të kaluar kur ai dhe dy të mitur ngritën flamurin e ISIS-it.

Trupi gjykues tha se ky veprim “është një thirrje drejtuar të tjerëve për të shkuar në Siri dhe Irak, për t’u bashkuar me organizatën terroriste”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG