Qeveria e Kosovës paralajmëroi mundësinë që në mbledhjen e radhës të ndajë një shumë prej 100 dollarësh në mbështetje të familjeve amerikane të prekura nga uragani Harvey.
Paralajmërimi i saj pasoi një kërkesë drejtuar qeverisë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili në një shkresë zyrtare theksoi se “duke njohur përkrahjen e madhe që kanë dhënë dhe po japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lirinë dhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës, duke marrë parasysh shpirtin solidar të popullit të Kosovës, që nuk harron kurrë ndihmën e popullit amerikan për Kosovën, duke ndjerë shqetësimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të ndara me shqetësimet dhe zhvillimet në Hjuston, pas reshjeve dhe përmbytjeve masive të shkaktuara nga uragani Harvey, i bëj thirrje dhe kërkoj nga Qeveria e Kosovës të marrë vendim urgjent për ndarjen e së paku njëqindmijë dollarëve amerikanë në ndihmë të familjeve amerikane të prekura nga kjo katastrofë”, thuhet në kërkesën e presidentit Thaçi.
Në anën tjetër, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe anëtarët e saj kanë grumbulluar mbi 13 mijë dollarë amerikanë për zonën e Teksasit.
Në një komunikatë të kësaj Ode thuhet se “për t’u dalë në ndihmë zonave të prekura nga stuhia e përmasave katastrofike që ka goditur Gjirin e Teksasit, si njëra ndër fatkeqësitë më të rënda natyrore në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me dhjetëra të vdekur dhe dhjetëra mijëra persona të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka krijuar një fond të ndihmës financiare. Oda Amerikane ka arritur që brenda një periudhe të shkurtër të grumbullojë 13,600 dollarë amerikanë, me të cilat do të mbështeten organizatat në SHBA, të cilat ofrojnë asistencë direkte për zonat dhe banorët e prekur nga vërshimet” thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Drejtori Ekzekutiv i kësaj Ode Arian Zeka, ka theksuar se kjo ndihmë ka vlerë simbolike dhe “dëshmi e mirënjohjes së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar për Kosovën në kohërat më të vështira të saj”.
Facebook Forum