Lidhje

Thaçi: SHBA, NATO do të ndihmojnë ngritjen e ushtrisë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se transformimi i Forcës së Armatosur të Kosovës është një domosdoshmëri, njëjtë sikur edhe ruajtja e partneritetit me NATO-n dhe SHBA-në. Në një debat të organizuar nga Lëvizja Fol, ai tha se institucionet e Kosovës janë të përgjegjshme për një gjë të tillë.

Ky qëllim është krejtësisht i arritshëm duke marrë për bazë faktin se të gjithë partnerët tanë strategjik pajtohen se Kosova duhet ta themelojë ushtrinë. Dallimi i vetëm aktualisht qëndron në qasjen që duhet ndjekur për arritjen e këtij qëllimi të përbashkët

Presidenti Thaçi tha se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës kërkojnë që një gjë e tillë të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese, prandaj së fundmi kanë rikonfirmuar se do të bëjnë një përpjekje të re në këtë drejtim.

Tani së fundmi edhe partnerët tanë strategjikë ndërkombëtar, respektivisht SHBA dhe NATO kanë rikonfirmuar gatishmërinë e tyre që të ndihmojnë institucionet tona në një përpjekje tjetër serioze, gjithëpërfshirëse për të siguruar përkrahjen e të gjitha komuniteteve e veçanërisht komunitetit serb në Kosovë për transformimin e FSK në Forca të Armatosura me ndryshime kushtetuese”.

Presidenti Thaçi kishte nxitur reagimet e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara pas paraqitjes së një projektligji për ngritjen e ushtrisë së Kosovës. Aleatët kërkuan që të hiqet dorë nga kjo qasje duke paralajmëruar se në të kundërtën do të ri shqyrtojnë qëndrimin e tyre ndaj Forcës së Sigurisë e cila është ngritur nën mbikëqyrjen e forcave paqeruajtëse të NATO-s.

Gjatë debatit të sotëm presidenti Thaçi tha se është në përgjegjësinë e koalicionit qeverisës që të tregojë përkushtimin për të çuar përpara procesin e ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, që është kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ratifikimi i marrëveshjes është penguar nga opozita që vlerëson se ajo e dëmton Kosovën por edhe një pjesë e deputetëve të partive në pushtet.

Askush nuk mund të justifikohet që opozita s'po voton sepse tek e fundit partnerët e koalicionit i kanë 89 vota apo 90 vota dhe e kanë obligim me kalu dhe duhet të tregojnë zotësinë e përgjegjësinë e tyre, apo definitivisht të sqarohen në raport me opinion publik se çka dhe si po lëvizin tutje sepse është e pajustifikueshme që qytetarët e vendit të mbesin viktimë e disa deputetëve që nuk e votojnë këtë proces që për mu është i saktë i drejtë dhe i pranueshëm”, tha presidenti Thaçi.

Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi si dhe ajo e arritur ne bisedimet me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, çuan në një krizë të thellë politike në Kosovë.

Fillimi i vitit shënoi një vale të re tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat aktualisht kanë pezulluar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Serbia për shkak të zgjedhjeve presidenciale të 2 prillit, ndërsa Parlamenti i Kosovës miratoi rezolutë për pezullimin e bisedimeve deri në lirimin e ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, që po mbahet në Francë që nga 4 janari në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia.

Presidenti Thaçi tha të martën se "do të ishte me rëndësi jetike që të vazhdoje zbatimi i marrëveshjeve të arritura mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ndërsa ne do ta respektojmë rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës sa i përket hapave tonë të mëtutjeshëm".

Ai shprehu besimin në mundësinë e pajtimit mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa theksoi se njohja e Kosovës nga Serbia është proces i pandalshëm dhe do të ndodhë herët a vonë, "ndërsa se kur ndodh është në autoritetin sovran të Serbisë, por Serbia nuk të mund të integrohet kurrë në BE pa e njohur Kosovën".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG