Lidhje

Ish drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së para Gjykatës në Hagë


Ish drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u paraqitën të premten në Gjykatën e Posaçme në Hagë, pak ditë pas ngritjes së aktakuzave ndaj tyre “për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë”.

Prokuroria e Posaçme akuzon zotin Gucati dhe zotin Haradinaj "për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës".

Ish drejtuesit e organizatës së veteranëve të UÇK-së para Gjykatës në Hagë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Në akuzë thuhet se, “së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Zoti Gucati dhe zoti Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhet në njoftim.

Organizata e Veteranëve të Luftës në tri raste gjatë muajit shtator tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.

Hysni Gucati tha se ndjehet i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura kundër tij.

Hysni Gucati
Hysni Gucati

“Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm. Unë kam të drejtën e lirisë së dhe shprehjes dhe të drejtën e shprehjes së mendimeve të mija, është e drejt e imja që në mënyrë të ligjshme të mbrojë vlerat e kombit shqiptar, të UÇK-së dhe do të vazhdoj t’i mbrojë këto vlera deri në fund”, tha zoti Gucati.

Ndërsa Nasim Haradinaj nuk u deklarua lidhur me akuzat që e ngarkojnë atë por akuzoi Prokurorinë e Posaçme për rrjedhjen e dokumenteve.

“Pra, ne duhet të përgjigjemi se pse ju dolën sekretet e tyre dhe u sollën me mijëra kilometra larg në zyrat tona dhe mos harroni, ato nuk ishin as një as dy fletë por me mijëra fletë faqesh. Organizata e Veteranëve të luftës së UÇK-së nuk ka pasur qasje dhe nuk ka dhe as aq mund të fajësohet për nxjerrjen nga sirtarët e tyre të këtyre dokumenteve prandaj këtu në vend timin do të duhej të ishin kolegët e tyre, të kësaj prokurorie apo edhe ndonjëri nga vet këta”, tha ai.

Ai tha se Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë çdo herë dyshues ndaj punës së Prokurorisë së Posaçme.

Nasim Haradinaj
Nasim Haradinaj

“Kush i nxori nga sirtarët e kësaj prokurorie, kush i solli ato në Kosovë, kush na i solli ne në selinë tonë dhe tani për këtë ta mbajmë ne përgjegjësinë e tyre? Është çmenduri dhe aspak drejtësi kur dihet shumë qartë mendimi ynë për këto dhoma pra ne të akuzohemi për të larë fajet e kësaj prokurorie. Është absurd i kësaj prokurorie në drejtësinë e këtij shekulli. Po e them sinqerisht zoti gjykatës se për mendimin tim kjo prokurori është së pari politike, selektive dhe e njëanshme por tani me këtë veprim të tyre po dyshoj dhe po bindem se është edhe e korruptuar sepse ndryshe nuk do t’u dilte i gjithë materiali nga zyrat e tyre”, tha zoti Haradinaj.

Më 25 shtator, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe zëvendësi i tij, Nasim Haradinaj u arrestuan në Prishtinë.

Bashkë me ta në Hagë tashmë ndodhen edhe ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ish shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, që të gjithë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG