Gjykata Kushtetuese në Kosovë tha të hënën se ligji për kombinatin Trepça është miratuar në pajtim ne kushtetutën e vendit dhe e shpalli të papranueshme kërkesën e deputetëve serbë për anulimin e tij.
Deputetët e Listës Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, dorëzuan më 13 tetor në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit të miratuar nga ana e Parlamentit të Kosovës për kombinatin metalurgjik Trepça.
Sipas tyre me miratimin e ligjit për Trepçën nuk janë respektuar interesat jetike të popullit serb dhe se ligji nuk është shqyrtuar edhe nga Komisioni për komunitete dhe nuk është dhënë mundësia që të shqyrtohet nga Këshilli konsultativ për komunitete dhe me këtë është shkelur kushtetuta e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese shpalli të hënën të papranueshme kërkesën e Listës Serbe për anulimin e ligjit, ndërsa kërkoi që të vazhdojnë procedurat dhe Ligji për Trepçën t’i dërgohet për nënshkrim presidentit të Kosovës.
“Gjykata gjen se parashtruesit e kërkesës nuk kanë dëshmuar pretendimin e tyre në baza kushtetuese dhe nuk kane paraqitur prova që tregojnë se si dhe perse Ligji i kontestuar për Trepçën ka shkelur Kushtetutën,qoftë në procedurë, qoftë në përmbajtje. Gjykata gjen se kërkesa e Listës Serbe është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese. Prandaj, Gjykata deklaron që Ligji për Trepçën është në pajtueshmëri me Kushtetutën, përkatësisht është kushtetues", thuhet në një njoftim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ligji për Trepçën u miratua në natën ndërmjet 7 dhe 8 tetorit dhe ai i përcakton qeverinë e Kosovës si pronare të 80 për qind të aksioneve të kombinatit Trepça.
Gjykata e lartë e Kosovës ka përcaktuar fillimin e muajit nëntor si afat për Agjencinë e Privatizimit e cila administron me Trepçën, që të dorëzojë planin e organizimit të kombinatit. Nëse ky afat nuk përmbushet, kompleksi mund të shkojë në falimentim
Kompleksi Trepça që ndodhet në Mitrovicë është i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe. Dikur Trepça ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e tetëdhjeta, ku punonin mbi 20 mijë punëtorë.
Beogradi dhe serbët e Kosovës që kundërshtojnë ligjin, kanë kërkuar që çështja e Trepçës të shtrohet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, një kërkesë që është hedhur poshtë nga Prishtina.